llustrim

Dënohet me 2,200 euro gjobë i akuzuari drogë

 

Gjykata e Mitrovicës e ka dënuar me 2,200 euro gjobë, të akuzuarin Admir Syla.

Syla akuzohej nga Prokuroria e Mitrovicës se me 31 dhjetor 2013, në Mitrovicë, brenda parkingut të ETC-së në derën e vozitësit të automjetit e tipit “Audi 80“ i ishin gjetur nga policia 11 qese të vogla me substancë narkotike – kanabis, një kuti e vogël e rrumbullakët e ngjyrës së zezë, në brendi të së cilës kishte substancë narkotike, me peshë neto të përgjithshme 16.35 gr., si dhe katër pjesë për mbështjelljen e substancës narkotike.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, thuhet në akuzën e prokurorisë.

Syla e ka pranuar fajësinë për këtë vepër penale, në seancën e shqyrtimit fillestar.

Ndërsa sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Bekim Veliqi, i pandehuri Syla është dënuar me gjashtë muaj burg efektiv si dhe 200 euro gjobë, mirëpo me pëlqimin e tij, dënimin me burg i është zëvendësuar me gjobë, në shumë prej 2,000 euro.

Kurse në dënim unik i llogaritet dënimi unik prej 2,200 euro, të cilën shumë i akuzuari është i obliguar ta paguajë brenda një muaji pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, kurse nëse nuk e paguan, dënimi do t`i zëvendësohet me burg, ku për një ditë burg do t`i llogaritet 20 euro prej gjobës.

Sipas aktgjykimit, narkotikët në peshë të përgjithshme prej 16.35 gramë janë konfiskuar.

Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësi Bekim Veliqi, pasi paraprakisht në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Syla e ka pranuar fajësinë.