Dënohet i akuzuari për kërcënim ndaj Presidentit dhe kryetares së Gjykatës Kushtetuese
Gjykata e Prishtinës e ka dënuar me një vit dënim me burgim G. M., i cili akuzohet për shtytje në kryerjen e veprave terroriste.
M. akuzohet se duke përdorur profilin e tij në Facebook ka kërcënuar presidentin Hashim Thaçi dhe Gjykatën Kushtetuese.
Dënimi prej një viti ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda dy viteve nuk kryen vepër tjetër penale.
Shpallja e aktgjykimit në këtë raste është bërë nga kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri dhe anëtaret Arben Hoti dhe Musa Kongjeli.
Gjykata ndaj të akuzuarit ka shqiptuar edhe masën e trajtimit të detyrueshëm psikike në liri, respektivisht kontakte dhe konsultat me psikologët.
Gjithashtu i akuzuari është obliguar të paraqitet në institucion të kujdesit shëndetësor, Qendra e Shëndetit Mendor në Mitrovicë.
Sipas prokurorisë, i akuzuari G. M. më 29 maj 2020, rreth orës 11:00 në Mitrovicë, me qëllim të organizimit për kryerjen e veprës terroriste, përmes rrjetit social “Facebook”, ka publikuar komentin e tij “Më në fund erdhi dita populli me e kall zyrën e presidentit Thaçi dhe Gjykatës Kushtetuese, Arta Hajrizi-Rama. Nëse populli së bënë këtë gjë, atëherë jemi njerëzimi më analfabet, më frikacak, më tradhtar e më i korruptuar në Ballkan”, dhe ky koment është shpërndarë nëpër mediat elektronike, thuhet në dispozitivin e aktakuzës.
Në seancën e kaluar eksperti Bujar Obërtinca, ka thënë se i akuzuari vuan nga një çrregullim kronik, i cili ka nevojë për përcjellje permanente nga ana e profesionistëve të shëndetit mendor.