Foto: KALLXO.com

Të arrestuarit për grabitjen në Suharekë po hetohen edhe për tentim grabitjen në Ferizaj

Përveç për grabitjen e armatosur në Suharekë, Bujar Basha e pesë persona të tjerë, të arrestuar së fundmi, po hetohen edhe për një grabitje tjetër.

Bëhet fjalë për tentim grabitjen e armatosur që ndodhi në Ferizaj, në fillim të nëntorit, ku edhe këtu grabitësit kishin shtënë me armë zjarri të gjata në drejtim të zyrtarëve policorë.

Këtë e ka konfirmuar kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari, i cili ka thënë se ende nuk ka diçka zyrtare, por është njëra nga pistat e hetimit.

“Hetimet janë duke u zhvilluar, nuk ka ende diçka, kemi thënë nëse ka diçka i njoftojmë të gjitha mediat… Po herët është por, kemi disa të dhëna të ekspertizës, por herët është me thënë… Edhe atë sigurisht”, tha Shukri Jashari, kryeprokuror i Prokurorisë në Ferizaj.

Ndonëse nga Policia e Kosovës nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet konkrete për rastet, disa burime të televizionit brenda këtij institucioni kanë treguar se task-forca e krijuar në nivelin qendror të PK-së, është duke e trajtuar këtë çështje.

Se prapa rasteve të grabitjes në Suharekë e tentimit në Ferizaj mund të qëndrojë i njëjti grup, e thotë edhe ish-hetuesi policor, tani avokat Naim Rudari, teksa tregon edhe rastet nga e kaluara.

“Zakonisht një grup grabitësve kur aktivizohen praktika ka treguar se ata kanë kryer në vazhdimësi grabitje edhe këtu nuk do shumë mend se ka mundësi që grupi i njëjtë të ketë filluar me grabitje dhe ato grabitje të kenë ndërlidhje njëra me tjetrën, policia i di këto fare mirë dhe unë mendoj se ato mund të kenë ndërlidhje se edhe në të kaluarën një grup kur ka qenë aktiv në grabitje, ata kanë kryer ne vazhdimësi jo një por shumë”, tha Naim Rudari, avokat.

Në orët e hershme të 3 nëntorit, në periferi të Ferizajt, disa bankomatë u tentua të grabiteshin, derisa vetëm dy javë më vonë, më 22 nëntor disa persona të maskuar kryen një plaçkitje të armatosur ku gjatë grabitjes kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë dhe kanë plaçkitur ari në vlerë mbi 200 mijë euro në një argjendari në Suharekë.

Për rastin e Suharekës, 6 persona janë arrestuar e një tjetër është ende në kërkim./Dukagjini