Mitrovica. Foto: KALLXO.com

Arrest shtëpiak ndaj të dyshuarit për mashtrim më viza pune të Sllovenisë

Prokuroria e Mitrovicës ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit E.H për veprën penale të mashtrimit.

Sipas kërkesës së siguruar nga KALLXO.com, i dyshuari nga dhjetori 2017 deri në janar 2020 në Mitrovicë i ka shtyrë të dëmtuarit M.K, A.H, M.P, K.K, K.K, B.B që t’i paguajnë shumat e ndryshme duke filluar nga 4,000 euro në emër të vizave të punës në Slloveni.

Tutje në kërkesën e prokurorisë përmendet se i dyshuari i kishte dërguar të dëmtuarit në Gjermani dhe Itali për punë por përmes llogarisë së tij bankare ai u kishte marrë rrogat, duke mos u paguar kontributet për vazhdimin e vizave edhe pse kjo ishte sipas marrëveshjes. Në këtë mënyrë, të dëmtuarit ishin të detyruar që të kthehen për në Kosovë, ndërsa i dyshuari nuk i kishte kryer pagesat sikurse që ishte në marrëveshje.

I dyshuari gjatë fillimit të procedurës penale ishte jashtë vendit, ndërsa në mars të këtij viti kishte hyrë në Kosovë përmes pikë kalimit kufitar në Jarinjë, por për shkak të pandemisë nuk i është marrë deklarata. Atij i ishte caktuar vendimi që të mbahet në Kosovë deri të marrja e deklaratës dhe kalimi i pandemisë.

Mirëpo përkundër këtij paralajmërimi, i pandehuri me 6 qershor ka tentuar që të kalojë kufirin prej nga edhe është ndaluar.

Prokuroria në kërkesën e saj ka sqaruar se i dyshuari mund të përsërisë veprën penale por edhe të ikë nga vendi.

Në seancën paraprake të mbajtur sot në gjykatën e Mitrovicës, të dyshuarit E.H i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, nga gjykata e Mitrovicës.

Andaj i pandehuri është i obliguar që në afat prej 30 ditëve të qëndrojë në shtëpi.