Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Apeli ia ulë dënimin nga 8 në 6 vjet burgim të dënuarit për vrasje

Gjykata e Apelit e ka ulur dënimin e shqiptuar prej 8 vitesh nga gjykata e Pejës për Arjanit Berbatin i dënuar për vrasjen e Senad Bogun.

Apeli ka vendosur që të dënuarit Berbati t’i shqiptohet dënimi prej 6 vitesh burgim.

“Me aprovimin e pjesshëm të ankesës të mbrojtësit të akuzuarit A. B., av. Dukagjin Kerveshi ndryshohet aktgjykimi vetëm për vendimin për dënimin ashtu që Gjykata e Apelit të akuzuarit A.B. për veprën penale për të cilën u shpall fajtor-vrasje nga neni 172 të KPRK-së, i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vjet”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Arjanit Berbati në shkallën e parë kishte pranuar fajësinë për vrasjen e viktimës Senad Bogu.

Ngjarja ka ndodhur më 5 shtator të vitit 2020 në qytetin e Pejës.

Ndaj vendimit të gjykatës së shkallës së parë kishin parashtruar ankesë prokurori i çështjes dhe mbrojtësi i të akuzuarit Berbati, avokati Kujtim Kerveshi.

Ankesa e prokurorisë është refuzuar si e pabazuar, ndërsa ajo e mbrojtjes është aprovuar pjesërisht duke ndryshuar kështu aktgjykimin lidhur me pjesën dënuese prej 8 në 6 vite.

Gjykata e shkallës së dytë ka gjetur se themelorja me rastin e matjes se dënimit i ka mbivlerësuar rrethanat rënduese edhe pse sipas shkallës së dytë në këtë rast mbizotërojnë rrethanat lehtësuese.

“… posaçërisht rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, që sipas përshkrimit faktik rezulton se i akuzuari ishte provokuar nga tani i ndjeri ( në moshë shumë më i madhe se i akuzuari- i lindur në vitin 1959), duke e cenuar integritetin seksual të akuzuarit i cili në kohën e kryerjes së veprës penale sa i kishte mbushur 19 vjet”, thuhet në arsyetim të vendimit.

Gjykata e Apelit ka marrë parasysh edhe faktin se viktima ishte i dënuar për vepër penale kundër integritetit seksual.

“Gjykata e Apelit gjithashtu është e bindur se vendimi mbi dënimin do të shërbejë për arritjen e qëllimit të dënimit, në pengimin e të akuzuarit në kryerjen e veprave penale në të ardhmen, por do të ndikoj si preventivë e përgjithshme për personat tjerë që të përmbahen nga kryerja e veprave penale në përputhje me nenin 38 të KPRK”, thuhet në arysetim te vendimit.

Ndërsa kjo gjykatë gjeti se nuk qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se i akuzuari veprën penale e ka kryer me dashje eventuale dhe në afekt, pasi edhe nga ekspertiza ka rezultuar se i akuzuari në momentin e kryerjes se veprës e ka pas të ruajtur aftësinë e të kuptuarit dhe kontrollit të veprimeve të tij.

Në anën tjetër, kjo gjykata e ka refuzuar ankesën e prokurorisë së Pejës, për faktin se sipas saj nuk është ofruar asnjë rrethane e re që do e arsyetonte dënimin më të ashpër.

Sipas aktakuzës ditën kritike i pandehuri ka qenë duke kaluar afër shtëpisë se viktimës ku edhe ka dëgjuar një zë, pastaj i pandehuri e sheh viktimën duke e thirrur me dorë.

Prokuroria thotë se i pandehuri duke menduar se viktima ka nevojë për ndihme, shkon në shtëpinë e viktimës, ku bashkë me viktimën kalojnë në dhomën e ditës, aty viktima shkon dhe e mbyll derën e korridorit me çelës dhe kthehet të i pandehuri duke iu drejtuar me fjalët “se pa bo qa të thamë unë nuk del prej këtu”.

Pas kësaj viktima shkon dhe ulet në një kolltuk përball televizionit, lëshon televizionin me program pornografik e më pas fillon të i prekë organet e tij gjenitale.

Dosja e prokurorisë thotë se i pandehuri duke i parë këto veprime të viktimës e ndien veten të pasigurt, shkon afër lavamanit kinse për të pirë ujë merr thikën fshehtë dhe i afrohet viktimës i cili kishte qenë duke e shikuar të pandehurin dhe duke lëpirë gjuhën.

I pandehuri në atë moment shkon pas kolltukut e kap viktimën për nofull duke ia kthyer kokën në anën e djathtë e në atë moment e godet më thikë dy herë në qafë, një herë në anën e majtë të fytyrës, një herë në shpinë majtas, një herë në shuplakën e dorës mes gishtit të 4 dhe 5, ndërsa këtu viktima ngritet në këmbë edhe pse në gjendje të rëndë dhe e kap për dorë të pandehurin e më pas rrëzohet për dysheme.