Aktakuzë për terrorizëm ndaj 5 personave

 

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër 5 personave për vepra të ndryshme penale që lidhen me terrorizmin.

Personat A. Gj., E. S., N. S. dh M.B., akuzohen se gjatë periudhës kohore nga muaji mars – tetor 2021, kanë bërë përpjekje për të bërë një strukturë organizative për kryerjen e akteve terroriste në Kosovë, duke kontaktuar me një person me gradë të lartë të organizatës terroriste ISIS.

Për këto veprime prokuroria po i akuzon me veprat ‘’Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës’’ dhe ‘’Kryerja e veprës terroriste’’.

Prokuroria të pandehurit E. S. dhe A. Gj., po i akuzon me veprën ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, sepse ka dyshime se të njëjtët pa autorizim, kanë sigurua dhe mbajtur në kontroll duke i fshehë dhe groposur në bure plastike e të izoluara mirë arsenal të armëve të zjarrta dhe municion të llojeve të ndryshme.

I pandehuri A. Gj., akuzohet nga prokuroria për veprën penale ‘’Mos lajmërim i përgatitjes së veprave penale’’, meqë dyshohet se i njëjti nga muaji tetor 2020 e deri më 02.11.2022 ka qenë në dijeni se i pandehuri (tash i ndjeri) K. F., ishte duke përgatitur akte terroriste në Vjenë të Austrisë.

Ndaj të pandehurit N. S. është ngritur aktakuzë edhe për veprën ‘’Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit’’, pasi që i njëjti dyshohet se më 07.10.2021, në magjistralen Prizren-Suharekë, në rrugën “Ukë Bytyqi” në mënyrë të drejtpërdrejtë ia ka dorëzuar shumën e të hollave prej dymijë (2000) euro të pandehurit Sh. K. në emër të blerjes së armëve të zjarrta.

Të pandehurin M. B., prokuroria e ngarkon me veprën ‘’Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’, sepse pretendon se i njëjti në kohën e pa vërtetuar më parë pa autorizim në shtëpinë e tij në Prizren ka siguruar dhe mbajtur në pronësi sasi të konsiderueshme – arsenal armësh të llojeve të ndryshme.

Ndërsa, të pandehurin Sh. K. e akuzon për veprën “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” ngase dyshohet se më 10.10.2021 në kundërshtim të Ligjit të zbatueshëm në lidhje me armët apo materiet plasëse ka siguruar me qëllim të shtijës armët e zjarrta të llojeve të ndryshme, si dhe ka pranuar shumën e të hollave prej dymijë (2000) euro.