Komuna e Dragashit. Dragash. 26.05.15, Photo: Atdhe Mulla

Aktakuza: Ish- drejtori i Financave i çoi veturat e Komunës për servis te djali i tij

Ish-drejtori i Financave i Komunës së Dragashit, Ahmet Bahtijari, u deklarua i pafajshëm për akuzat e Prokurorisë së Prizrenit.

Edhe Avni Nebiu, ish-drejtor i Administratës dhe Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, gjithashtu nuk e pranuan fajësinë për veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Asnjëri nga të akuzuarit nuk kishin marrë avokat mbrojtës, duke thënë se për momentin nuk do të marrin avokatë.

Ahmet Bahtijari, ish-drejtor i Financave në Komunën e Dragashit, po akuzohet nga Prokuroria në Prizren për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikt interesi gjatë kohës sa e mbante këtë pozitë.

Bashkë me Bahtijarin, Prokuroria ka futur në listë të të dyshuarve edhe dy ish-zyrtarë të Komunës së Dragashit: Avni Nebiun, ish-drejtor i Administratës dhe Salajdin Vehbi, zyrtar certifikues.

Këta dy, tashmë në pension, po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Deri me datën 3 shtator të akuzuarit e kanë të drejtën të paraqesin kërkesë për hedhjen e aktakuzës.

Ish-drejtori i Financave Ahmet Bahtijari akuzohet se ka keqpërdorur pozitën e tij si drejtor komunal i Financave, me qëllim të përfitimit pasuror në dobi të djalit të tij, Armend Bahtijari, i cili është pronar i servisit “Menti”.

Aktakuza thotë se ish-drejtori i Financave Bahtijari i ka mundësuar servisit të djalit të tij lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe se e ka nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në të njëjtin servis.

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Bahtijari e ka bërë nënshkrimin e kontratës për servisim edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë për rregullimin e automjeteve me një operator tjetër ekonomik.

Në këtë mënyrë, i pandehuri Ahmet Bahtijari, akuzohet se i ka mundësuar djalit përfitime si pronar i servisit për vitin 2015 në shumën prej 3,069 euro, për vitin 2016 në shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017 në shumën prej 1.532 euro.

Aktakuza thotë se me këto veprime, Bahtijari e ka dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Ish-drejtori Ahmet Bahtijari akuzohet edhe për konflikt interesi sepse i ai personalisht kishte marrë pjesë në çështje zyrtare në të cilën djali i tij kishte interes financiar. Ai akuzohet se duke nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” i ka mundësuar djalit të tij dobi pasurore në shumën prej 5,313 euro për periudhën kohore 2015 – 2017.

Ndërsa zyrtari autorizues i pagesave, Avni Nebiu, dhe zyrtari certifikues, Salajdin Vehbi, akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre të detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit në dobi të servisit “Menti”.

Këta dy akuzohen se i kanë nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare në servsin ”Menti” në bazë të faturave, edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML”.