Dënim me burgim me kusht për dy ish zyrtarët e Komuës së Dragashit për servisimin e automjeteve

2 vite e katër muaj burgim me kusht ndaj dy ish zyrtarëve të Komunës së Dragashit të akuzuar për servisim të veturave

Ahmet Bahtijari dhe Salajdin Vehbi, dy ish zyrtarë të  komunës së Dragashit, janë dënuar sot nga Gjykata e Prizrenit, pasi u gjetën fajtorë.

Ish-drejtori i Financave të Komunës së Dragashit, Ahmet Bahtijari dhe zyrtari certifikues Salajdin Vehbi, janë dënuar nga Gjykata e Prizrenit nën pretendimet se dhanë pronë komunale në shfrytëzim dhe servisuan makinat e Komunës tek djali i drejtorit të financave.

Bahtijarit, për keqpërdorim të detyrës dhe konflikt interesi gjykata i shqiptoi dënimin unik prej 1 viti e 4 muaj burgim me kusht i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej 3 vitesh.

Zyrtari certifikues, Salajdin Vehbi për veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar i është shqiptuar dënimi me 1 vit dënim me burgim me kusht i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej 2 vitesh.

Të lartcekurit u obliguan që në emër të paushallit të paguajnë shumën prej 200 eurove, dhe 50 eurove në emër të kompensimit të viktimave.

Në seancën e kaluar, të akuzuarit pas marrjes së raportit financiar pranuan fajësinë në mënyrë vullnetare duke shprehur edhe pendesë të thellë.

Dy zyrtarë të komunës së Dragashit pranojnë fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt të interesit

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria  kishte kërkuar që dy ish zyrtarët të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit.

Ndërkaq, dy të akuzuarit janë shprehur thellësisht të penduar për gabimin e bërë, dhe nga Gjykata kërkuan  një dënim të lehtë pasi që të dy ishin tashmë pensionist, kishte kushte të dobëta ekonomike dhe ishin mbajtës të vetëm të familjes.

Pos ish-drejtorit të Financave të Komunës së Dragashit, Ahmet Bahtijari dhe zyrtarit certifikues Salajdin Vehbi, aktakuza e ngarkon edhe ish-drejtorin e Administratës Avni Nebiun.

Mirëpo i akuzuari Nebiu nuk e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë, për çka gjykimi ndaj tij është duke u zhvilluar ende.

Aktakuza thotë se ish-drejtori i Financave Bahtijari i ka mundësuar servisit të djalit të tij lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe se e ka nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në të njëjtin servis.

 

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Bahtijari ngarkohet se ka bërë nënshkrimin e kontratës për servisim edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë për rregullimin e automjeteve me një operator tjetër ekonomik.

Në këtë mënyrë, Ahmet Bahtijari, akuzohet se i ka mundësuar djalit të tij përfitime si pronar i servisit për vitin 2015 në shumën prej 3,069 euro, për vitin 2016 në shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017 në shumën prej 1,532 euro.

Aktakuza thotë se me këto veprime, i akuzuari e ka dëmtuar operatorin ekonomik “LML” i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Ish-drejtori i financave akuzohet edhe për konflikt interesi.

Sipas prokurorisë, ai personalisht kishte marrë pjesë në çështje zyrtare në të cilën djali i tij kishte interes financiar.

Në këtë mënyrë duke nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” i ka mundësuar djalit të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti” në shumën prej 5,313 Euro për periudhën kohore 2015 – 2017.

Ndërsa zyrtari autorizues i pagesave, Avni Nebiu, dhe zyrtari certifikues, Salajdin Vehbi, akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre të detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit në dobi të servisit “Menti”.

Këta dy akuzohen se i kanë nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin ”Menti” në bazë të faturave, edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML”.

Shkrimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.