Dy zyrtarë të komunës së Dragashit pranojnë fajësinë për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe konflikt të interesit

Ahmet Bahtijari dhe Salajdin Vehbi, dy nga tre të akuzuarit kanë pranuar fajësinë lidhur me rastin ku Prokuroria i ngarkon se kanë dhënë parcelën dhe i ka mundësuar servisim e veturave të Komunës së Dragashit në biznesin e djalit të drejtorit të Financave.

Me rifillimin e shqyrtimit gjyqësor, ish-drejtori i Financave të Komunës së Dragashit, Ahmet Bahtijari dhe zyrtari certifikues Salajdin Vehbi, në mënyrë vullnetare kanë pranuar fajësinë para trupit gjykues.

Pas pranimit të fajësisë nga ana e të akuzuarve, prokurori i çështjes Mehdi Sefa i propozoi gjykatës që shqyrtimi tutje të vazhdojë me fjalën përfundimtare.

Në fjalën përfundimtare, Prokuroria deklaroi se pas shqyrtimit të provave, dëgjimit të dëshmitarëve dhe posaçërisht ekspertizës të ekspertit financiar ka ardhur në përfundim se me veprimet e Ahmet Bahtijarit dhe Salajdin Vehbi janë formuar elementet e veprës penale.

“Kërkojë nga gjykata që dy të akuzuarit e lartcekur të shpallen fajtor dhe dënohen sipas ligjit, me ç’rast gjykata të marrë parasysh të gjitha rrethanat që ndikojnë në shqiptimin e dënimit”-tha prokurori Sefa.

Në anën tjetër, Valdet Hoxha, mbrojtës i të akuzuarit Ahmet Bahtijari në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se i mbrojturi i tij në mënyrë vullnetare e ka pranuar fajësinë dhe kërkoi nga gjykata që të merren parasysh rrethanat lehtësuese, pasi sipas tij Bahtijari për herë të parë bie ndesh me ligjin, ishte pensionist, dhe në gjendje të rënduar ekonomike.

Tutje në gjykim, fjalën përfundimtare të avokatit Hoxha e mbështeti edhe Erzana Mazrek, mbrojtja e të akuzuarit Salajdin Ahmet.

Ndërkaq, i akuzuari Salajdin Mazrek deklaroi se ndihet thellësisht i penduar për gabimin e bërë, dhe nga Gjykata kërkoi një dënim të lehtë pasi që ishte pensionist, kishte kushte të dobëta ekonomike dhe ishte mbajtës i familjes.

Pas kësaj, gjykata aprovoi pranimin e fajësisë ndaj dy të akuzuarve, ndërkaq shpalljen për këtë rast do ta bëjë me datë 25 nëntor 2021.

Pos ish-drejtorit të Financave të Komunës së Dragashit, Ahmet Bahtijari dhe zyrtarit certifikues Salajdin Vehbi, aktakuza e ngarkon edhe ish-drejtorin e Administratës Avni Nebiun.

Mirëpo i akuzuari Nebiu nuk e ka pranuar fajësinë për veprën në fjalë, për çka gjykimi ndaj tij vazhdoi me fjalën hyrëse dhe procedurën e provave.

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Bahtijari ngarkohet se ka bërë nënshkrimin e kontratës për servisim edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë për rregullimin e automjeteve me një operator tjetër ekonomik.

Në këtë mënyrë, Ahmet Bahtijari, akuzohet se i ka mundësuar djalit të tij përfitime si pronar i servisit për vitin 2015 në shumën prej 3,069 euro, për vitin 2016 në shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017 në shumën prej 1,532 euro.

Aktakuza thotë se me këto veprime, i akuzuari e ka dëmtuar operatorin ekonomik “LML” i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Ish-drejtori i financave akuzohet edhe për konflikt interesi. Sipas prokurorisë, ai personalisht kishte marrë pjesë në çështje zyrtare në të cilën djali i tij kishte interes financiar.

Në këtë mënyrë duke nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” i ka mundësuar djalit të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti” në shumën prej 5,313 Euro për periudhën kohore 2015 – 2017.

Ndërsa zyrtari autorizues i pagesave, Avni Nebiu, dhe zyrtari certifikues, Salajdin Vehbi, akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre të detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit në dobi të servisit “Menti”.

Këta dy akuzohen se i kanë nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin ”Menti” në bazë të faturave, edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML”.