Dosja e Prokurorisë: Komuna e Dragashit ia dha parcelën dhe i servisoi veturat në biznesin e djalit të drejtorit të Financave

 

Dy ish-drejtorë të Komunës së Dragashit po përballen me akuza të Prokurorisë, nën pretendimet se dhanë pronë komunale në shfrytëzim për djalin e drejtorit të Financave.

Në seancën e datës 16 korrikut, Ahmet Bahtijari dhe dy të akuzuarit tjerë, ishin deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të Prokurorisë.

Ahmet Bahtijari, ish-drejtor i Financave në Komunën e Dragashit, po akuzohet nga Prokuroria në Prizren për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës dhe konflikt interesi gjatë kohës sa e mbante këtë pozitë.

Bashkë me Bahtijarin, Prokuroria ka futur në listë të të dyshuarve edhe dy ish-zyrtarë të Komunës së Dragashit: Avni Nebiun, ish-drejtor i Administratës dhe Salajdin Vehbiun, zyrtar certifikues.

Aktakuza thotë se ish-drejtori i Financave Bahtijari i ka mundësuar servisit të djalit të tij lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe se e ka nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në të njëjtin servis.

Gjykimi ndaj ish-drejtorëve të Komunës së Dragashit ka filluar me dëgjimin e dëshmitarëve Shenasi Qafleshi, zyrtar i Prokurimit në Komunën e Dragashit, i cili tha se Komuna e Dragashit ka pasur kontratë për servisim të automjeteve me operatorin ekonomik ‘Dpz – LML.com’, e cila sipas aktakuzës së Prokurorisë është palë e dëmtuar.

I njëjti tha se Komuna e Dragashit nuk ka pasur kontratë për servisim të automjeteve me djalin e drejtorit këtu të akuzuarit Ahmet Bahtijari, ndërsa dëshmitari tha se nuk është në dijeni se pse veturat e Komunës janë dërguar në servis te djali i drejtorit, kur Komuna ka pasur kontratë për servisim me një operator ekonomik.

Në pyetjen e prokurorit për pagesat e kryera për servisin e djalit të drejtorit të Financave, dëshmitari ka thënë se: “Sipas ligjit për shumat prej 1,000 Euro e më lartë duhet të zbatuar procedurat e tenderimit”.

Dëshmitari Shenasi Qafleshi i angazhuar në zyrën e prokurimit në Komunën e Dragashit që nga viti 2008 tha se ky rast ka qenë i vetmi i llojit të tillë.

“Nuk kam pasur rast të tillë që pagesat të ekzekutohen jashtë zyrës së prokurimit”, përfundoi dëshmitari.

Dëshmitari i radhës i propozuar nga Prokuroria ishte Nuro Ismajli, i cili është i angazhuar si menaxher i prokurimit publik në Komunën e Dragashit.

Dëshmitari tha se ka nënshkruar një kontratë për servisim të automjeteve të Komunës me operatorin ekonomik “LML…” në Prizren, dhe se kontrata është nënshkruar në qershor të vitit 2015 për kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Ndërsa për servisimin e veturave të Komunës në servisin “Menti” me pronar djalin e drejtorit të Financave, dëshmitari tha se në periudhën janar  – qershor 2015 meqenëse Komuna nuk ka pasur kontratë të nënshkruar për servis të veturave, zyra e prokurimit ka lejuar që servisimi i automjeteve të bëhet ë servis “Menti” në pronësi të djalit  të të akuzuarit Ahmet Bahtijari që mbante pozitën e drejtorit të Financave.

Mirëpo, dëshmitari tha se Komuna e Dragashit për furnizim me goma të dimrit e shërbime të ngjashme ka bashkëpunuar përveç me operatorin “Menti” edhe me operator tjerë ngase kontrata me të dëmtuarin “LML…” nuk e ka paraparë këtë shërbim.

Faktin se servisi “Menti” ka kryer servisim të automjeteve të Komunës së Dragashit edhe pas lidhjes së kontratës së rregullt, dëshmitari tha se këtë e ka marrë vesh vetëm nga Policia kur është ftuar nga hetuesia për t`u marrë në pyetje si dëshmitarë.

Prokurori i rastit Mehdi Sefa ia ka prezantuar dëshmitarit faturat e pagesave që i janë kryer operatorit ekonomik “Menti” për të cilat akuzohet ish-drejtori i Financave Ahmet Bahtijari, dëshmitari ka thënë se çdo pagesë që tejkalon shumën prej 999 euro duhet t`i nënshtrohet procedurave të tenderimit.

Përfundimi i orarit të punës ka ndërprerë dëshminë e dëshmitarit, për të vazhduar në seancën e datës 6 mars 2020.

Aktakuza thotë se ish-drejtori i Financave Bahtijari i ka mundësuar servisit të djalit të tij lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe se e ka nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në të njëjtin servis.

Sipas aktakuzës, ish-drejtori Bahtijari e ka bërë nënshkrimin e kontratës për servisim edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë për rregullimin e automjeteve me një operator tjetër ekonomik.

Në këtë mënyrë, i pandehuri Ahmet Bahtijari, akuzohet se i ka mundësuar djalit përfitime si pronar i servisit për vitin 2015 në shumën prej 3,069 euro, për vitin 2016 në shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017 në shumën prej 1.532 euro.

Aktakuza thotë se me këto veprime, Bahtijari e ka dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, i cili ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Ish-drejtori Ahmet Bahtijari akuzohet edhe për konflikt interesi sepse i ai personalisht kishte marrë pjesë në çështje zyrtare në të cilën djali i tij kishte interes financiar. Ai akuzohet se duke nënshkruar urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” i ka mundësuar djalit të tij dobi pasurore në shumën prej 5,313 euro për periudhën kohore 2015 – 2017.

Ndërsa zyrtari autorizues i pagesave, Avni Nebiu, dhe zyrtari certifikues, Salajdin Vehbi, akuzohen se i kanë tejkaluar kompetencat e tyre të detyrës zyrtare, me qëllim të përfitimit në dobi të servisit “Menti”.

Këta dy akuzohen se i kanë nënshkruar urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” në bazë të faturave, edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML…”.