3 muaj burgim me kusht dhe gjobë për shoferin e autobusit që i kishte ofruar mito policit

Gjykata e Prishtinës sot pasi aprovoi marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë e shpalli aktgjykimin me të cilin të akuzuarin Megzon Zejnullahu e dënoi me 3 muaj dënim me kusht dhe 300 euro gjobë.

Në seancën e sotme gjykatës i është parashtruar marrëveshja mbi pranimin e fajësisë e lidhur ndërmjet prokurorit Arian Gashi dhe të akuzuarit Megzon Zejnullahu me datën 20 shtator 2019.

I akuzuari Megzon Zejnullahu  para gjykatës deklaroi se “Marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë e kam nënshkruar me vullnet të plotë dhe në konsultim me avokatin tim’’.

Ndërsa avokati Ekrem Agushi, deklaroi se “Mbes në tërësi pranë marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë dhe gjykatës i propozoj që të njëjtën ta aprovojë’’.

Ndërsa prokurori i rastit, Arian Gashi deklaroi se “Ftoj gjykatën që marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë ta aprovojë pasi e njëjta është përpiluar dhe nënshkruar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale pasi i akuzuari Megzon Zejnullahu ka kuptuar benefitet dhe pasojat e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë’’.

Prokuroria në marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë kishte propozuar që të akuzuarit Megzon Zejnullahu t’i shqiptohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 deri në 12 muaj dënim me kusht, ndërsa për dënimin me gjobë kishte rekomanduar t’i shqiptohet në shumë prej 500 deri në 600 euro.

Pasi gjykata kishte shqiptuar dënim nën rekomandimin e Prokurorisë e udhëzoi atë në të drejtën e parashtrimit të ankesës lidhur me vendimin mbi dënimin.

Sipas prokurorisë i akuzuari Megzon Zejnullahu me datën 7 shtator 2019, duke qenë vozitës i autobusit të kompanisë ‘Saba-Tours’, në pikën kufitare në Merdare drejtpërdrejtë i kishte ofruar policit kufitar shumën prej 10 eurove.

I akuzuari Megzon Zejnullahu shumën prej 10 eurove e kishte vendosur në librezën e qarkullimit të automjetit me qëllim që polici kufitar të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij.