FSK - Foto: REL

Lavdet e eprorëve të ushtrive mysafire për FSK-në

Në ditën e parë të ushtrimit fushor ‘Shqiponja 6’ e cila u zhvillua në kampin fushor në Koliq, disa nga eprorët e ushtrive mysafire që janë pjesëmarrëse në ushtrim kanë dhënë mendimet e tyre për FSK-në.

Majori amerikan Jason Hornberg ka thënë se nga ajo që ka parë deri tani, FSK është duke bërë punë të mirë në përpjekjet për planifikim dhe ekzekutim të operacioneve.

“Udhëheqja në nivel të Forcës për Detyrë po punojnë me përkushtim për t’i kryer obligimet e tyre”, ka theksuar majori Hornberg.

Ndërsa Justin Wagner nga Forcat Ajrore të ShBA-së ka vlerësuar ndërtimin e kampit dhe delegimin e planeve për siguri.

“Kjo është shumë mirë. Është ndryshe nga “Shqiponja 5”. Por kjo është shumë mirë, është një zhvillim pozitiv. Sasia e pajisjeve dhe numri i personelit të cilët janë akomoduar dhe që kanë arritur pa problem, të gjitha këto janë bërë shumë mirë. Është impresive, kjo nuk është lajkë”, ka thënë Wagner.

Që nga ‘Shqiponja 5’, FSK ka dyfishuar jo vetëm personelin por edhe lëvizjet logjistike të automjeteve. Po ashtu në ushtrimin fushor ‘Shqiponja 6’ marrin pjesë tetë partnerë ndërkombëtarë dhe janë përfshirë edhe agjencitë dhe institucionet e tjera të Kosovës.

Wagner ka vazhduar duke thënë se në ditën e parë të këtij ushtrimi ka shumë tregues të suksesit duke shtuar se fokusi i FSK-së është populli i Kosovës.

“Fillimi është shumë i mirë. Jemi krenarë që jemi pjesë e përkrahjes për FSK-në dhe përmbushjes së katër përgjegjësive të tyre kryesore. Fokusi kryesor i FSK-së është populli i Kosovës. Sa herë që ka ndonjë nevojë, ata janë aty për të reaguar me zotësi dhe me efikasitet për të mbrojtur dhe shpëtuar jetë”, është shprehur amerikani Wagner.

Nënkoloneli gjerman Chudaske nga ekipi i NATO-s për këshillim dhe ndërlidhje ka thënë se  kjo është hera e parë që FSK ka ftuar shumë shtete partnere dhe se koordinimi para fillimit të ushtrimit ka qenë faktori kryesor.

“FSK është duke e ndërtuar sistemin e vet të trajnimit. Do të mblidhen rezultatet dhe mësimet e nxjerra. Kurdo që ka pyetje ne ofrojmë përgjigje dhe i tregojmë mënyrat tona se si i zgjidhim situatat”, ka shtuar ai.

Ushtrim fushor “Shqiponja 6” është vazhdimësi e operacioneve të viteve të kaluara dhe ka për qëllim adresimin dhe avancimin e mëtejmë të nevojave teknike dhe taktike të FSK-së të cilat janë identifikuar më herët.

I tërë procesi është kryer në koordinim të plotë me shtetet aleate dhe sipas standardeve më të larta të NATO-s. Përpos trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës pjesëmarrës në ushtrimin fushor “Shqiponja 6” janë edhe efektivët ushtarak nga Shqipëria, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, ShBA-ja, Turqia, Mbretëria e Bashkuar dhe KFOR-i.