Nikolla Gruevski - Foto: REL/EPA-EFE

Lajmërohet Gruevski, kërkon azil politik në një shtet të BE-së

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, është lajmëruar të martën, disa ditë pasi Policia e ka kërkuar në Shkup pa mundur ta gjejë.

Në një postim në Facebook para pak çastesh, Gruevski ka thënë se është në Budapest të Hungarisë ku ka kërkuar azil politik.

“Gjatë ditëve të fundit kam marrë kërcënime të panumërta me jetë. Tani jam në Budapest dhe kërkova azil politik tek autoritetet hungareze”, tha shkruar Gruevski.

“Unë gjithmonë do të qëndroj besnik ndaj çështjes së Maqedonisë. Kurrë nuk do të heq dorë”, shkroi ai.

Një gjykatë maqedonase të hënën lëshoi një urdhër arresti për ish-kryeministrin Nikola Gruevski pasi ai nuk u paraqit në burg për të kryer dënimin e tij me dy vjet burg për blerjen e paligjshme të një Mercedesi luksoz.

Me urdhër të Gjykatës Penale në Shkup, policia maqedonase konfirmoi të hënën se ata kishin lëshuar një urdhër arresti për ish-kryeministrin Nikola Gruevski, i cili duhet të kryejë dënimin e tij me dy vjet burg.

Urdhri u lëshua pasi Gjykata e Apelit të premten e kaluar refuzoi apelin e ish-kryeministrit për një shtyrje të dënimit të tij.

Gruevski ishte i paarritshëm gjatë fundjavës dhe më herët të hënën që korrieri i gjykatës t’i dorëzonte atij vendimin, gjë e cila duhet të kishte bërë që ai të raportonte menjëherë në burgun e Shuto Orizarit pranë Shkupit.

Në rastin gjyqësor të koduar me emrin “Tanku”, Gruevski u shpall fajtor për blerjen në mënyrë të paligjshme dhe sekrete të një Mercedesi 580,000 euro në vitin 2012 nga ish-ministrja e brendshme Gordana Jankuloska, të cilën ai planifikonte ta përdorte për qëllimet e tij.

Gjykata e Apelit konfirmoi dënimin e tij me dy vjet burg më 5 tetor.

Gruevski ka këmbëngulur që ky dhe raste të tjera gjyqësore kundër tij janë një sajim politik, i ngritur nga qeveria e re e udhëhequr nga Bashkimi Social Demokrat, SDSM.

13 Nëntor 2018 - 13:46

Përparim Isufi 13/11/2018 - 13:46
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend