Zyrtarët ukrainas: Ofensivë e re ruse në rajonin Luhansk të Ukrainës lindore

Rusia e ka nisur një ofensivë të madhe në Ukrainën lindore dhe po përpiqet ta thejë mbrojtjen pranë qytetit të Kreminës, ka thënë guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai për TV ukrainas. Sipas tij trupat ruse kanë nisur sulmin dhe po përpiqeshin të përparojnë drejt perëndimit.

Një seri sulmesh me dron dhe raketa ruse goditën objektiva në jug dhe lindje të Ukrainës, sipas zyrtarëve dhe banorëve lokalë që raportuan se kishin dëgjuar shpërthime të forta. Sirenat e sulmit ajror u dëgjuan në pjesën më të madhe të vendit vonë të enjten mbrëma. Serhiy Lysak, administratori ushtarak në rajonin e Dnipropetrovsk, ka deklaruar se dronët Shahed u zbuluan gjatë rrugës për në zonë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy pretendon se Ukraina i ka përgjuar planet e shërbimeve sekrete ruse për ta shkatërruar Moldavinë. Duke folur me liderët e Bashkimit Evropian në Bruksel, Zelenskiy paralajmëroi se shërbimet e tij kishin përgjuar një dokument që “tregon kush, kur dhe si do të thente demokracinë e Moldavisë dhe do ta vendoste kontrollin mbi Moldavinë”, duke shtuar se ai e kishte paralajmëruar menjëherë presidentin e Moldavisë, Maia Sandu.  

Zelenskiy u kërkoi liderëve evropianë të përshpejtojnë shpërndarjen e armëve dhe të nisin bisedimet e anëtarësimit në BE me Ukrainën këtë vit, në një vizitë shumë simbolike në Bruksel të enjten, në të cilën ai tha se Rusia po përpiqet të asgjësonte “mënyrën ukrainas-evropiane të jetesës”. Zelenskiy iu drejtua parlamentit evropian të enjten në mëngjes, duke deklaruar se Ukraina “do të bashkohet me Bashkimin Evropian” duke i falënderuar anëtarët e bllokut të BE-së për mbështetjen e tyre gjatë pushtimit të Rusisë.

Zelenskiy pretendon se disa liderë të Bashkimit Evropian i kanë thënë se janë të gatshëm t’i siguronin Kievit avionë, por nuk dha detaje të mëtejshme rreth premtimeve. Nuk ka asnjë konfirmim të menjëhershëm nga asnjë vend evropian. “Evropa do të jetë me ne deri në fitoren tonë. E kam dëgjuar nga një numër liderësh evropianë … për gatishmërinë për të na dhënë armët dhe mbështetjen e nevojshme, përfshirë avionët”, tha ai në një konferencë shtypi të enjten. 

Zyra e kryeministrit britanik ka thënë se po e shqyrton një “një grup të tërë opsionesh” për ta ndihmuar Ukrainën kur u pyet përsëri për dërgimin e avionëve luftarakë. I pyetur në lidhje me sugjerimin e presidentit ukrainas që disa liderë evropianë ishin gati t’i siguronin Kievit avionë luftarakë, një zëdhënës i kryeministrit tha se sekretari i mbrojtjes, Ben Wallace, po e shikon mundësinë “nëse ne mund të ofrojmë avionë luftarakë në të ardhmen”.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se nuk do të dërgojë avionë luftarakë në Ukrainë nëse ekziston rreziku për sigurinë britanike. Kur u pyet në lidhje me shqetësimet e disa aleatëve perëndimorë se furnizimi me avionë mund të rrezikonte të tërhiqte NATO-n në konflikt, zëdhënësi i kryeministrit ka deklaruar se “fillimisht ne nuk kemi marrë një vendim në lidhje me sigurimin e avionëve në Mbretërinë e Bashkuar – aktualisht jemi duke u trajnuar”.

Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë të ofrojë mbështetjen maksimale për Ukrainën, tha të enjten presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. “Ne e kuptojmë se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë të një rëndësie vendimtare,” ka thënë Michelai. “Artileria, municionet, sistemet e mbrojtjes… ju na keni thënë saktësisht se çfarë keni nevojë dhe çfarë keni nevojë tani”.

Europa i bëri të ditura sanksionet e reja kundër Rusisë, të cilat do të përfshijnë ndalime të reja të eksporteve me vlerë më shumë se 10 miliardë euro duke i patur në shënjestër propaganduesit e Vladimir Putinit, ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA vendosën sanksione ndaj shtatë shtetasve rusë për lidhjet e tyre me zhvillimin dhe vendosjen e ransomëare, si pjesë e një goditjeje nga qeveria ndaj kriminelëve kibernetikë.

Kompania ruse e energjisë bërthamore Rosatom thotë se është e gatshme të vazhdojë punën për krijimin e një zone sigurie rreth termocentralit bërthamor të Ukrainës në Zaporizhzhia pasi zyrtarët e kompanisë takuan shefin e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së.

Një e katërta e ukrainasve janë në rrezik të zhvillimit të një gjendjeje të rëndë të shëndetit mendor ndërkohë që Ukraina përballet me pushtimin rus njëvjeçar, tha një këshilltar special i Organizatës Botërore të Shëndetësisë./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala