Projektligji për Qeverinë, ky është opinioni i Komisionit të Venecias për kompetencat e qeverisë në detyrë

Qeveria e Kosovës në gusht të këtij viti e kishte finalizuar Projektligjin për Qeverinë, mirëpo për shkak të mundësisë për shkelje Kushtetuese, ky projektligj ishte dërguar në Komision të Venecias për opinion.

Ky Komision ka dhënë opinionin rreth këtij projektligji. KALLXO.com ka siguruar dokumentin i cili është publikuar më 14 dhjetor 2020.

Në këtë dokument është dhënë opinion edhe lidhur me kompetencat e qeverisë në largim.

Sipas Komisionit, neni 31 i Projektligjit për kufizimet në qeverinë në largim, përbëhet nga pesë paragrafë, i pari i të cilave ofron një listë të aktiviteteve që një qeveri në largim ose në detyrë, nuk duhet të kryejë.

“Kjo përfshin mos përfundimin e marrëveshjeve ndërkombëtare që do të ratifikohen nga Kuvendi, mos aprovimin e projekt ndryshimeve kushtetuese, etj. Paragrafi i dytë parashikon një përjashtim nga këto kufizime duke lejuar qeverinë në ikje të propozojë në Kuvend miratimin e buxhetit të vendit. Paragrafi i tretë parashikon një përjashtim tjetër nga kufizimet gjatë një emergjence, siç përcaktohet me ligj. Paragrafi i katërt lejon qeverinë në largim të hyjë në marrëveshje ndërkombëtare që ratifikohen nga Presidenti dhe paragrafi i pestë përcakton atë”, thuhet në këtë raport.

Komisioni tutje thekson se neni 31 i projektligjit kërkon të kufizojë kompetencat e një qeverie në largim brenda kuptimit të nenit 30 (për qeverinë në largim) dhe nenit 31.5 të projektligjit, siç u tha, “shton një situatë të mëtejshme në të cilën zbatohet neni 31, dhe është e paqartë pse kjo nuk është renditur në nenin 30 (ose pse në të vërtetë neni 30 nuk i referohet drejtpërdrejt nenit 28 mbi ‘Fundin e Mandatit’, i cili mbulon saktësisht të njëjtat situata)”.

Komisioni shton se megjithëse Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht futjen e kufizimeve ndaj kompetencave të një qeverie “në largim”, kjo në vetvete nuk e bën nenin 31 problematik në asnjë mënyrë.

“Ndërsa Kushtetuta paracakton disa nga subjektet që duhet të përfshijnë një Ligj mbi Qeverinë (shih p.sh. nenin 95.6 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të projektligjit), duket se nuk ka ndonjë dispozitë për efekt të një ligji mbi Qeverinë mund të mbulojë vetëm subjekte të tilla me mandat kushtetues. As kjo nuk është një pasojë e domosdoshme e parimeve më të përgjithshme të trashëgimisë Kushtetuese Evropiane, të tilla si sundimi i ligjit dhe ndarja e pushteteve”, thuhet në document.

Mes tjerash theksohet se duke vërtetuar që një Ligj i Parlamentit në parim mund të përcaktojë kompetencat e një qeverie në largim, çështja e mbetur është nëse neni 31 i projektligjit e bën këtë me qartësinë e duhur dhe në një mënyrë të arsyeshme.

“Neni 31 i projektligjit i beson qeverisë në largim atë që dikush mund ta quajë “menaxhim të përditshëm”, projektligji parashikon që qeveria “të vazhdojë të kryejë përgjegjësitë e saj”. Ky nocion shpesh është i vështirë për t`u përcaktuar dhe mund të jetë i paqartë pasi mund të mbulojë lehtësisht çdo gjë”, vlerëson Komisioni.

Në përfundim, Komisioni i Venecias thekson se në përgjithësi, kufizimet për qeverinë në ikje të parashikuara në nenin 31 të projektligjit nuk duket se ngrenë ndonjë çështje të pajtueshmërisë me standardet ndërkombëtare.

Komisioni i Venecias ka vlerësuar se Kosova po i nënshtrohet një periudhe të paqëndrueshmërie qeveritare që përfshin tensione midis Kreut të shtetit dhe Kryeministrit, koalicioneve të paqëndrueshme parlamentare dhe një situate veçanërisht të vështirë gjeopolitike.

“Prandaj, sfida për vendin është të racionalizojë funksionimin dhe personelin e institucioneve të tij për të rritur efikasitetin, duke respektuar, në të njëjtën kohë, kërkesat e një shteti demokratik”, thuhet në dokument.

Sipas këtij Komisioni, sistemi institucional i Kosovës shënohet nga fakti se pushteti qeveritar, si në lidhje me Presidentin ashtu edhe me Qeverinë e gjen burimin e tij vetëm në Kuvend, pasi që Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Presidentin dhe Kryeministrin.

Sipas tyre, kjo situatë ka të ngjarë të çojë në njëfarë paqëndrueshmërie, veçanërisht në mungesë të qartë të shumicës parlamentare, të cilat sistemi i ka parë.