Qeveria-Kuvendi

Foto: Denis Sllovinja

Komisioni i Venecias: Kosova, në një periudhë të paqëndrueshme qeveritare

Komisioni i Venecias ka vlerësuar se Kosova po i nënshtrohet një periudhe të paqëndrueshmërie qeveritare që përfshinë tensione midis pozitave të Kreut të shtetit dhe Kryeministrit, koalicioneve të paqëndrueshme parlamentare dhe një situate veçanërisht të vështirë gjeopolitike.

“Prandaj, sfida për vendin është të racionalizojë funksionimin dhe personelin e institucioneve të tij për të rritur efikasitetin, duke respektuar, në të njëjtën kohë, kërkesat e një shteti demokratik”, thuhet në opinionin që ky Komision ka dhënë lidhur me Projektligjin për Qeverinë.

Sipas këtij Komisioni, sistemi institucional i Kosovës shënohet nga fakti se pushteti qeveritar, si në lidhje me Presidentin ashtu edhe me Qeverinë e gjen burimin e tij vetëm në Kuvend, pasi që Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Presidentin dhe Kryeministrin.

Sipas tyre, kjo situatë ka të ngjarë të çojë në njëfarë paqëndrueshmërie, veçanërisht në mungesë të qartë të shumicës parlamentare, të cilat sistemi i ka parë deri më tash.

Qeveria e Kosovës në gusht të këtij viti e kishte finalizuar Projektligjin për Qeverinë, mirëpo për shkak të mundësisë për shkelje Kushtetuese, ky projektligj ishte dërguar në Komision të Venecias për opinion.

Ky Komision ka dhënë opinionin rreth këtij projektligji. KALLXO.com ka siguruar dokumentin i cili është publikuar më 14 dhjetor 2020.

Ndërkohë, sot organizata joqeveritare “Demokraci Plus” publikoi analizën e titulluar “Katër vjet, katër kryeministra nga Agjenda për Reforma Evropiane në Agjendën për Reforma Evropiane II: Ku qëndrojmë”?!

Albana Rexha, analiste e lartë e Politikave në Demokraci Plus, vuri në pah se për një periudhë 4 vjeçare pati jo-stabilitet politik dhe potencoi se për këto 5 vite, Republika e Kosovës është është drejtuar nga katër kryeministra të ndryshëm.