Zvicra shpall emergjencën kombëtare
2.330 raste dhe 14 vdekje nga COVID- 19 e kanë detyruar shtetin zviceran të shpallë emergjencë kombëtare, pasi vetëm brenda një dite kanë pasur 800 raste të reja, shkruan BLICK.
Sipas Këshillit Federal, do të mbyllen të gjitha dyqanet, tregjet, restorantet, baret, si dhe objektet argëtuese, por edhe muzetë, bibliotekat, kinematë, shtëpitë e koncerteve dhe teatrit, qendrat sportive, pishinat dhe fushat e skive. Në të njëjtën mënyrë, do të mbyllen edhe bizneset ku distanca nuk mund të mbahet, të tilla si sallone parukerie ose studiot e kozmetikës.
Dyqanet ushqimore, kompanitë e udhëtimeve, restorantet, dyqanet që ofrojnë ushqim dhe farmacitë mbeten të hapura, sikur edhe pompat e benzinës, stacionet e trenave, bankat, zyrat postare, hotelet, administrata publike dhe institucionet sociale.
Këshilli Federal po forcon përsëri masat kundër pandemisë së coronavirusit.
Ngjarjet publike dhe private janë të ndaluara nga mesnata e sotme. Të gjitha dyqanet, restorantet, baret, objektet argëtuese dhe të kohës së lirë do të mbyllen deri më 19 prill të vitit 2020. Përjashtohen dyqanet ushqimore dhe objektet shëndetësore.
Kufijtë me Gjermaninë, Austrinë dhe Francën do të mbyllen që nga mesnata e sotme.
Këshilli Federal ka aprovuar vendosjen e deri 8,000 pjesëtarëve të ushtrisë për të mbështetur kantonet në spitale, logjistikë dhe siguri.
Këshilli Federal tani e klasifikon situatën në Zvicër si një situatë të jashtëzakonshme sipas Aktit Epidemik. Ai lejon Këshillin Federal të urdhërojë masa të njëjta në të gjitha kantonet.