Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zv/ministrja Shala tregon detajet për vettingun në drejtësi

Zëvendësministrja e drejtësisë, Nita Shala ka thënë se për vetingun në drejtësi në Kosovë janë analizuar në detaje 5 rrugë që potencialisht mund të ndiqen.

“Opsioni i parë ka të bëjë me ruajtjen e status-quos, opsioni i dytë adreson përmirësimin e zbatimit të kornizës ekzistuese ligjore, opsioni i tretë parasheh zhvillimin e vettingut përmes ndryshimeve ligjore, opsioni i katërt parasheh zhvillimin e vettingut përmes ndryshimeve kushtetuese, duke krijuar mekanizma të jashtëm të përhershëm vettingu dhe opsioni i pestë është opsion i kombinuar mes ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore”, tha ajo.

Në një konferencë për media, zëvendësministrja Shala ka treguar edhe për detaje të tjera në këtë cilat do të zhvillohet ky proces.

“Mekanizmi i vettingut parashihet të ketë dyshkallshmëri në vendimmarrje dhe mbështetje administrative dhe logjistike nga sekretariati, anëtart e mekanizmit do të vlerësojnë në shkallë të parë dhe në shkallë apeli, dhe këta do të jenë profesionist të fushës së drejtësisë më integritet të lartë, me mandat që do të zgjasë deri në fund ttë procesit”, tha ajo.

Zëvendësministrja e drejtësisë, Nita Shala poashtu ka treguar edhe për mekanizmin që do të bëjë vettingun.

“Anëtarët do të zgjidhen në kuvend dhe do të shpallen nga presidentja e vendit, të njëjtit do të vetohet paraprakisht nga një organ me asistencë ndërkombëtare. Vettingu do të zhvillohet me tre trupa vendimmarrës për gjyqtarët dhe dy trupa vendimmarrëse për prokurorët, vendimet do të jenë të arsyetuara e publike”, tha ajo.

“Subjektet e vetingut do të jenë gjyqësorët, prokurorët dhe zyrtarët në pozita të larta drejtuese brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial”, shtoi ajo.

Shala poashtu ka treguar edhe për menyrën sesi do të bëhet vlerësimi.

“Përgjatë procesit do të sigurohet vazhdimësi e punës në institucionet e përfshira. Në rast se subjekti rezulton si i përshtatshëm, i rregullte dhe i aftë për punën e vet, atëherë trupa nxjerrë vendim pozitiv, me këtë rast ai subjekt konfirmohet në detyrën që është duke ushtruar. Në rast se gjatë shqyrtimit të rastit paneli vlerëson se ka shkelje apo të meta të tjera atëherë për subjektin propozohet sanksioni i caktuar”, tha ajo.

Koncept-dokumenti për vetingun në drejtësi pritet që të votohet në mbledhjn e ardhshme të qeverisë.

Vetting-u është proces i rivlerësimit të figurës së prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe ka për qëllim rritjen e tyre profesionale, luftimin e korrupsionit dhe ndikimin e krimit të organizuar, politikës apo elementëve të tjerë të paligjshëm në dhënien e drejtësisë.

Vettingu në drejtësi është një nga premtimet e qeverisë Kurti 2.