Zv/Guvernatori i BKQ-së: Ish-auditori ishte gati të hiqte gjetjet vetëm që t`i vazhdohej kontrata - VIDEO

Zëvendës Guvernatori i Bankës Botërore të Kosovës, Sokol Havolli ka drejtuar disa akuza ndaj ish-auditorit të brendshëm Bezad Halilaj, duke thënë se i njëjti ishte gati që të largonte nga raporti i auditimit gjetjet e tij nëse i vazhdohet kontrata në BQK.

Sipas Havollit, këtë çështje ia kishte ngritur një mik i përbashkët i tyre gjatë kohës sa po pinin kafe.

“Më thirri një shok në atë kohën e pjesës së zgjedhjes së Auditorit të Brendshëm dhe tha për ish-auditorin, “…shok, thash mirë shumë, tha është pak i pakënaqur me këtë pjesën e disa gjetjeve që i ka dhe diçka i është vështirësuar komunikimi”, thash normal është me pas komunikim të vështirësuar menaxhmenti me auditorin, është normale. Ai tha “është i gatshëm me i hek ato gjetje nëse ti më thua këtu që ja vazhdoni mandatin””, tregoi Havolli në një intervistë në #KallxoPernime.

Havolli shtoi se në atë moment kishte vendosur që auditori në atë kohë nuk mund të ketë integritet të mjaftueshëm, pasi që kishte bërë kompromise për vazhdim të kontratës së tij.

“Ai është momenti që unë vendosi që auditori nuk mund ta ketë integritetin e mjaftueshëm sepse për vazhdim të kontratës së vet është i gatshëm me bo kompromise në raport të auditorit”, tregon tutje Havolli.

I pyetur nga Jeta Xharra nëse i ka raportuar këto diku, ai thotë se nuk ka arritur të mbaj shënime apo dëshmi për shkak se kanë qenë duke pirë kafe dhe të njëjtat çështje nuk i ka deponuar si informacione as në prokurori.

“Jo (nuk e kam raportuar në prokurori) sepse i kam ndërmarrë veprimet e nevojshme në kontestin e vlerësimit të auditorit, pra vlerësimi im ka qenë vlerësimi më i ulët prej krejt anëtarëve të tjerë. BQK po (ka bërë padi), sepse nuk guxon me dalë raporti i auditorit të brendshëm me qëllim të sulmimit të institucionit dhe është sefte që po e them, e ka nxjerrë në media”, thotë tutje Havolli.

Havolli thotë se këtë çështje asnjëherë nuk e ka ngritur në opinion, deri sa shton se ish-auditori i ka sugjeruar disa herë që të dalin në drekë me mikun e përbashkët për të cilin Havolli nuk ia përmendi emrin.

Në emisionin e sotëm në #KallxoPernime ishte i ftuar Zëvendës Guvernatori i BQK-së, Sokol Havolli me të cilin u diskutuan tema të ndryshme që prekin këtë institucion.

Havolli foli edhe për presionet e politikës e edhe kërkesën për dorëheqje, për çka ai pretendon se ka ardhur nga anëtari i bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja.

Ky i fundit në një deklaratë për #KallxoPernime ka thënë se pretendimet e Havollit janë të pabaza dhe gënjeshtra.