Foto: MPJD

Gërvalla deklarohet për gjobën prej 13 mijë euro nga AIP ndaj MPJD-së

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gervalla është deklaruar në lidhje me gjobën prej 13 mijë eurove nga Agjencia për Informim dhe Privatësi ndaj MPJD-së, për të cilën u raportua në mediumin “Insajderi.org” gjatë javës së kaluar.

Sipas raportimit të këtij mediumi, MPJD nuk ka ofruar qasje në dokumente publike për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit dhe bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut, gjatë periudhës prej muajit shkurt 2019, deri në muajin shkurt tw 2022.

Gërvalla ka thënë nuk është fjala për mostransparencë, por që sipas saj ministria në sistemin nuk ka shifra për shpenzimet individuale të diplomatëve, por vetëm për shpenzimet e misionit në tërësi.

“Mund të ju them vetëm se kemi pasur kërkesë për shpenzime individuale për një diplomat të caktuar. MPJD-ja në sistem shpenzimet e misioneve nuk i ka të ndara individualisht. Nuk kemi kapacitete sa i përket personelit momentalisht, prandaj reforma në këtë institucion është shumë e nevojshme për t’i ndarë shpenzimet veç e veç”, ka deklaruar Gërvalla.

Ministrja ka thënë se nuk ka interesim që të fshehë shpenzimet dhe se të njëjtat do t’i përgatis për publikim duke përfshirë edhe të kaluarës dhe aktualet.

“Nuk kemi interesim t’i fshehim shpenzimet, ndaj kemi lutur Departamentin e Financave që t’i përgatis për publikim të gjitha shpenzimet e së kaluarës edhe ato aktualet, duke filluar nga shpenzimet e kabinetit. Jemi në aspektin e realizimit teknik. Vendimi politik për publikimin e shpenzimeve është marrë. Jemi të ndërgjegjshëm, shpenzimet tona janë të arsyeshme dhe shumë më të vogla se në të kaluarën”, është shprehur Gërvalla.

Ditë më parë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) kishte shqiptuar një gjobë prej 13 mijë eurove për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPDJ) për mosdhënie të faturave për shpenzimet për udhëtime (karburante) të diplomatit dhe bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani, Prindon Sadriut.

3 mijë euro, AIP-ja e kishte gjobitur MPJD-në për heshtje ndaj kërkesës së mediumit dhe 10 mijë euro për pamundësim të realizimit të të drejtës për qasje në dokumente publike.