Dritarja e dhomës së djegur në Spitalin e Pejës, 29.05.2024

'Zjarrvënie e qëllimshme' - Prokuroria në kërkim të shkaktarëve të zjarrit në Spitalin e Pejës

Prokuroria e Pejës po punon në identifikimin e personit apo personave që kanë shkaktuar zjarrin në Spitalin e Pejës, pasi që rasti po hetohet si zjarrvënie e qëllimshme.

Ky zjarr dogji njërën prej dhomave në katin e katërt të Spitalit, në të cilën kishte pajisje të teknologjisë informative rreth orës 4 të mëngjesit të datës 29.05.2024.

“Për këtë çështje janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore nga ana policore për identifikimin e personit apo personave që e kanë shkaktuar këtë zjarrvënie dhe njëkohësisht për arrestimin e tyre” – tha zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi.

Sipas burimeve të KALLXO.com, në kamerat e sigurisë që ka marrë policia, është parë një person i maskuar i cili dyshohet se ka shkaktuar zjarrin.

Nga zjarri pati vetëm dëme materiale, vlera e të cilave po vlerësohet nga një komision i formuar nga Spitali i Pejës.

KALLXO.com vizitoi më 29.05.2024 Spitalin e Pejës por nuk u lejua që të marrë pamje brenda spitalit, te vendi i ngjarjes, me arsyetimin se Policia nuk lejon afrimin te vendi i ngjarjes.

“Fatmirësisht (zjarri) është vërejtur herët nga pjesëtarët e sigurimit fizik. Është njoftuar me kohë, kanë ardhë zjarrfikësit dhe Policia dhe është arritë që të lokalizohet zjarri dhe të mos shkojë më shumë sesa në atë dhomë” – tha Zëdhënësi i Spitalit, Naim Sahiti.

Sipas tij, të gjitha të dhënat janë të ruajtura nëpër sisteme të tjera informative, pavarësisht djegies së pajisjeve.

“Në katin e katërt ndodhen vetëm shërbimet administrative dhe teknike. Nuk ka qenë askush aty në atë orë. Nuk ka pasur asnjë shqetësim për pacientët apo për shërbimet shëndetësore” – tha Sahiti i pyetur se a ka pasur pacientë apo punonjës afër dhomës kur ka nisur zjarri.

Sipas njoftimit që Spitali bëri atë ditë, shërbimet për pacientë kanë vazhduar të jepen si gjithnjë, ndërsa shërbimet teknike po merren me pastrimin e riparimet e nevojshme në dhomën e djegur dhe ambientet e tjera të katit të katërt të bllokut kirurgjik.