Objekti i djegur i Gjykatës së Ferizajt, Dega Kaçanik, 13.03.2024. | Foto: KALLXO.com

Zjarrvënia në objektin e Gjykatës së Kaçanikut, Prokuroria Speciale ngrit aktakuzë

Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit E.R. për zjarrvënien në Gjykatën e Kaçanikut më 13.03.2024.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se ka ngritur një aktakuzë ndaj një personi me inicialet E.R. për shkak të veprës penale të rrezikim të rendit kushtetues përmes shkatërrimit apo dëmtimi të instalimeve dhe pajisjeve publike.

Kjo vepër penale hyn në kuadrin e veprave penale kundër sigurisë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Përveç E.R., Prokuroria i ka propozuar Gjykatës Themelore në Ferizaj – Departamentit për të Mitur, shqiptimin e dënimit me burgim ndaj të miturve T. B., M.R. dhe V.T..

Ndaj të akuzuarit E.R. seanca gjyqësore pritet të mbahet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës.

Prokuroria Themelore e Ferizajt kishte njoftuar më 15.03.2024 se tre të miturit po dyshohen se ishin autorët e vënies së zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt, Dega në Kaçanik. Ndërsa pak më vonë ishte arrestuar edhe i dyshuari i katërt, E.R..

Menjëherë në vendin e ngjarjes kishin dalë ekipet e zjarrfikësve, të cilët rreth orës 04:40 e kishin lokalizuar dhe shuar zjarrin.

Si pasojë e këtij incidenti, ishin dëmtuar dy zyre të kësaj gjykate.

KALLXO.com kishte mësuar se gjyqtarët zyrat e të cilëve u dogjën nga zjarri, merren me çështje penale.