Zjarr - Ilustrim

Zjarret masive përfshijnë Greqinë, qindra banorë dhe turistë të evakuuar

Zjarret masive kanë përfshirë veriun, jugun dhe lindjen e Greqisë. Qindra banorë dhe turistë janë evakuuar nga ishulli lindor i Egjeut, Lesbos, pas zjarreve që përfshinë sipërfaqe të mëdha pyjore, por duke djegur edhe disa shtëpi.

Në veri të vendit, zjarrfikës dhe vullnetarët po luftojnë për të katërtën ditë radhazi me një zjarr të ashpër që ka përfshirë Parkun Kombëtar Dadia, një rezervat natyror i mbrojtur.

Ky zjarr detyroi evakuimin e të gjithë fshatit Dadia mbrëmjen e së shtunës. Edhe disa banorë të fshatit Chrysokelari në Peloponez u detyruan të largoheshin nga banesat e tyre për shkak të flakëve.

Greqia aktualisht është në një vale të nxehti me temperatura 42 gradë Celsius në disa rajone. Moti ekstrem parashikohet të zgjasë 10 ditë, duke shtuar frikën për zjarre të tjera.

Autoritetet e quajtën këtë verë, si një nga më të nxehtat e më të vështirat në Mesdhe. Vitin e kaluar, zjarret shkatërruan rreth 300,000 hektarë pyje dhe shkurre në të gjithë Greqinë./Euronews