Zhvillimet në Ukrainë – deputetët në Kosovë kërkojnë që të mblidhen institucionet e sigurisë

Kryeministri Kurti e deputetë të pozitës e opozitës kanë komentuar zhvillimet e reja në Ukrainë, ku raportohet se ushtria ruse ka hyrë në territorit e këtij shteti.

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Haki Abazi duke komentuar zhvillimet në Ukrainë tha se Këshilli Kombëtar i Sigurisë duhet mbledhur për t’u koordinuar me aleatë dhe me NATO-n lidhur me rrezikun që paraqet situata me Ukrainë.

“Duke pasur një fqinj si Serbia që përdorë taktikat e njëjta të kërcënimit të integritetit territorial dhe shpesh herë e kopjon metodën e Rusisë, është urgjente që institucionet tona të sigurisë të mblidhen dhe të shqyrtojnë dhe monitorojnë me kujdes situatën me të cilën jemi duke u ballafaquar”, ka thënë Abazi.

“Kërkesa ime është që në këtë situatë delikate kur ne bëjmë historinë ndonjëherë pa e dit që po bëjmë historinë, të jemi të bashkuar përballë një krize që mundet në mënyrë indirekte apo direkte të na prek të gjithëve qytetarët, rajonin dhe jemi me fat që jemi me aleatët”, ka shtuar ai.

Abazi gjithashtu ka përmendur edhe pasojat që sipas tij janë vërejtur në Kosovë dhe në rajon duke theksuar edhe rritjen e çmimeve.

“Jo pa qëllim kjo po ngjet në mes të dimrit sepse Evropa është e varur nga gazi rus dhe pasojat e një përplasje direkte me Rusinë do te jenë pasoja të paparashikueshme. Efektet janë vërejtur edhe në Kosovë dhe në rajon, çmimet janë ngritur meqë jemi aq të ndërvarur nga importi dhe kapacitetet tona prodhuese janë në minimum. Rrjedhimisht, ë këtë situatë kërkohet solidaritet i plotë dhe bashkëveprim i të gjithë ne në Parlament por edhe në shoqërinë tonë dhe koordinim me NATO dhe aleatët perëndimor”, ka thënë ndër të tjera Abazi.

Ndërsa ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, tani deputet i PDK-së, Enver Hoxhaj ka kërkuar nga institucionet kosovare që t’i përcjellin me vëmendje zhvillimet në Ukrainë, derisa ka propozuar që Kuvendi të nxjerrë një rezolutë për këtë çështje.

Sipas tij, Ballkani mund të jenë fronti i dytë i Rusisë.

“Në këtë drejtim mendoj se Kuvendi i Kosovës duhet të përcjellë ngjarjet në Ukrainë, nëse ka nevojë mendoj se në një të ardhme të afërt ta miratojmë një rezolutë dhe i ftoj të gjitha partitë politike që të bëjnë një gjë të tillë. Ukraina është fronti i parë, Ballkani është fronti i dytë dhe ne jemi vija e parë e këtij fronti të dytë në Ballkan dhe mendoj që Qeveria duhet mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare. E di që në të kaluarën ne e kemi mbledhë këshillin në situata të tilla”, tha Hoxhaj.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se Kosova e mbështetë sovranitetin e Ukrainës dhe se do të jetë e bashkërenduar me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n.

“Republika e Kosovës, Qeveria e Kosovës padyshim që mbështet sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, dhe sikurse deri më tani edhe në vijim ne do te jemi përherë të bashkërenduar me Bashkimin Evropian, SHBA dhe NATO”, ka deklaruar Kurti.

Të hënën, 21 shkurt, Rusia ka njohur pavarësinë e dy rajoneve lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, dhe ka urdhëruar dërgimin e trupave ruse atje.

Ky vendim i Rusisë ka ngjallur reagime të shumta të liderëve botëror.

KS i OKB-së në takim urgjent për Ukrainën