Zhvillimet e fundit nga lufta në Gaza

Shtëpia e Bardhë i ka dalë në mbrojtje komenteve të Presidentit Joe Biden drejtuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se Izraeli po e humb mbështetjen ndërkombëtare për shkak të “bombardimeve të tij pa dallim” dhe se Netanyahu duhet ta ndryshojë qeverinë e tij të dominuar nga e djathta e fortë. Zëdhënësi i sigurisë së SHBA-së, John Kirby u përpoq t’i nënvlerësonte komentet kur u pyet nëse komentet e Bidenit ishin qëndrimi zyrtar i qeverisë amerikane.

Ministri izraelit i mbrojtjes Yoav Gallant i ka pranuar dallimet me SHBA-në, por ka thënë se është i bindur se të dy palët do të gjejnë një mënyrë që operacioni ushtarak i Izraelit të vazhdonjë. Ministri i Jashtëm izraelit Eli Cohen ka thënë më herët se vendi i tij do ta vazhdojë luftën e tij në Gaza “me ose pa mbështetje ndërkombëtare”.

Administrata Biden po e vonon shitjen e më shumë se 20,000 pushkëve të prodhuara nga SHBA në Izrael për shqetësimet rreth sulmeve nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar, kanë thënë dy burime të njohura me këtë çështje. Departamenti i Shtetit dërgoi një njoftim jozyrtar për shitjen në Kongres disa javë më parë, por shitja nuk ka vazhduar, pavarësisht se është miratuar nga komisionet e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve.

Izraeli ka njoftuar humbjet e tij më të rënda luftarake në gjashtë javë pas një prite në rrënojat e Gazës, duke thënë të mërkurën se 10 nga ushtarët e tij janë vrarë gjatë 24 orëve të fundit. Dy komandantë të lartë izraelitë dhe shtatë ushtarë të tjerë u vranë nga Hamasi në një pritë komplekse në periferi të qytetit të Gazës, Shejaiya, në një nga incidentet më vdekjeprurëse për ushtarët izraelitë gjatë luftës dy-mujore.

Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët për Refugjatët Palestinez (UNRWA) Philippe Lazzarini ka deklaruar se kushtet në Gaza janë “një ferr i gjallë”. Komentet e Lazzarinit u bënë mes frikës së një krize humanitare të përshkallëzuar me shpejtësi në territor pasi shirat e dendur të dimrit dhe moti i freskët goditën rajonin.

Një studim i Kombeve të Bashkuara thotë se kostoja ekonomike e luftës ndaj fqinjëve arabë, Libanit, Egjiptit dhe Jordanisë mund të rritet në të paktën 10 miliardë dollarë këtë vit dhe t’i shtyjëmë shumë se 230,000 njerëz drejt varfërisë. Kostoja për tri shtetet për sa i përket humbjes së PBB-së mund të arrijë në 10.3 miliardë dollarë, ose 2.3%, dhe mund të dyfishohet nëse konflikti zgjat edhe gjashtë muaj të tjerë, thotë dokumenti i Programit të Zhvillimit të OKB-së (UNDP)./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala