“Zgjoi” fillon rrugëtimin në New York, në premierë i pranishëm edhe Eliot Engel

Mbrëmë filmi “Zgjoi” ka filluar të shfaqet në kinematë në New York. Sipas njoftimit në Facebokk, të protagonistes kryesore të këtij filmi, i pranishëm në premierë ishte edhe kongresmeni Eliot Engel.

Gjithashtu, aktorja Yllka Gashi ka njoftuar se filmi do të shfaqet deri më 18 nëntor.

“Mbrëmë “Zgjoi” filloi rrugëtimin e tij në New York! Faleminderit shumë të gjithë atyre që na nderuan me ardhjen e tyre. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe kongresmeni Eliot Engel, mik i madh i shqiptarëve i cili na nderoi e komplimentoi për punën tonë!  “Zgjoi” do të shfaqet në New York në Film Forum deri me 18 Nëntor”, ka shkruar Gashi në Facebook.

Filmi “Zgjoi” me regji nga Blerta Basholli, është i frymëzuar nga historia e vërtetë e Fahrije Hotit nga Krusha e Madhe, e cila në kërkim të burrit të saj të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për ta siguruar mbijetesën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.