Zelensky e akuzon Moskën për 'gjenocid' në Donbas

Sot është dita e 93-të pushtimit rus të Ukrainës – lufta e parë e madhe tokësore në Evropë në dekada.

Sulmi i Moskës ka nisur në orët e para të 24-shkurtit. 

Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se ka nisur, sipas tij, një operacion “special” për “çmilitarizimin dhe denacifikimin” e Ukrainës.

Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës duke e dënuar sulmin dhe janë zotuar se do ta mbajnë Rusinë përgjegjëse për këtë luftë.

Ndërkohë, zhvillimet më të fundit në dhe rreth luftës në Ukrainë janë si në vijim:

Qyteti Kharkiv është goditur nga sulme të reja mes frikës se qyteti është ende në axhendën e Rusisë. Të paktën nëntë civilë u vranë, duke përfshirë një fëmijë dhe 19 të plagosur, thanë autoritetet ukrainase. “Sot, okupatorët bombarduan përsëri Kharkivin. Për momentin, në listën e të vdekurve janë nëntë persona. 19 të plagosur. Të gjithë civilë”, tha Zelenskiy. Banorëve u është kërkuar të shkojnë ose të qëndrojnë në strehimore.

Zyrtarët në Ukrainë kanë pranuar se Rusia ka “një avantazh” në luftimet në lindje të vendit. Guvernatori i rajonit të Luhanskut, Serhiy Haidai, tha se vetëm 5% e zonës tani ka mbetur në duart e Ukrainës – nga rreth 10% pak më shumë se një javë më parë – dhe se forcat ukrainase po tërhiqeshin në disa zona. “Ushtria ruse i ka angazhuar të gjitha forcat e saj për ta marrë rajonin e Luhanskut”, tha ai në një video në Telegram. “Luftime jashtëzakonisht të ashpra po zhvillohen në periferi të qytetit Sievierodonetsk. Ata thjesht po e shkatërrojnë qytetin, po e granatojnë çdo ditë, pandërprerë”.

Kremlini ka hedhur poshtë pretendimet se Rusia i ka bllokuar eksportet e grurit nga Ukraina, duke fajësuar Perëndimin për krijimin e një situate të tillë duke vendosur sanksione ndaj Rusisë. Ministrja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, e akuzoi Vladimir Putinin për “armatosjen” e urisë përmes bllokadës së Rusisë ndaj eksporteve të grurit ukrainas. Një zyrtar i lartë turk tha se Ankaraja është në bisedime “të vazhdueshme” me Rusinë dhe Ukrainën për ta hapur një korridor përmes Bosforit.

Dy ushtarë rusë të kapur janë deklaruar fajtorë për bombardimin e një qyteti në Ukrainën lindore, në gjyqin e dytë për krime lufte që kur trupat ruse pushtuan vendin. Alexander Bobikin dhe Alexander Ivanov pranuan se ishin pjesë e një njësie artilerie që qëlloi në objektiva në rajonin e Kharkiv nga rajoni Belgorod i Rusisë.

Rusia ka vendosur furgona të lëvizshëm të propagandës me televizorë me ekran të madh në pikat e ndihmës humanitare në qytetin e pushtuar të Mariupolit. Kjo kthesë Orëelliane po bëhet ndërkohë që Kremlini vazhdon me përpjekjet për t’i integruar territoret e pushtuara rishtazi në jug të Ukrainës.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se bashkëpunimi i Kinës me Vladimir Putinin pas pushtimit të tij në Ukrainë “ngre kambanat e alarmit”. Blinken e kritikoi presidentin kinez, Xi Jinping, për mbrojtjen e “luftës së Putinit për ta fshirë sovranitetin e Ukrainës”.

Alexander Llukashenko, presidenti bjellorus i cili është aleat i ngushtë i Putinit, ka urdhëruar krijimin e një komande të re ushtarake për jugun e vendit në kufi me Ukrainën. Forcat e armatosura të Bjellorusisë thanë më parë se do të vendosin trupa të operacioneve speciale, në tri zona pranë kufirit të saj jugor me Ukrainën. Lukashenko ka folur gjithashtu për rolin e raketave të prodhuara nga Rusia në rritjen e mbrojtjes së vendit.

Dmytro Kuleba, Ministri i Jashtëm i Ukrainës, tha se “armët, armët dhe armët përsëri” janë ato që i duhen vendit. “Ne kemi nevojë për më shumë armë të rënda të dorëzuara sa më shpejt të jetë e mundur, veçanërisht MLRS (sisteme raketash të shumëfishta) për t’i zmbrapsur sulmet ruse”, tha Kuleba.

Shtetet e Bashkuara po përgatiten të dërgojnë sisteme të avancuara raketash me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë pas një kërkese urgjente nga zyrtarët ukrainas, thuhet se i thanë CNN zyrtarë të shumtë. Kuleba tha se nevoja më urgjente e Ukrainës është për sisteme të shumta raketore lëshimi (MLRS) për ta kundërshtuar epërsinë ruse në armatimin e rëndë. Zelenskiy gjithashtu iu referua armëve si “sistemet që nevojiten vërtet për ta ndaluar këtë agresion” në fjalimin e tij të fundit.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy është ankuar për ndasitë brenda Bashkimit Evropian për më shumë sanksione kundër Rusisë dhe ka pyetur pse disa vende po lejohen ta bllokojnë planin. “Sa javë të tjera do të përpiqet Bashkimi Evropian të bie dakord për një paketë të gjashtë?” Pyeti Zelenskiy në fjalimin e tij të fundit kombëtar. “Presioni mbi Rusinë është një çështje e shpëtimit të jetëve”, shtoi ai.

Presidenti rus Vladimir Putin dhe kryeministri italian Mario Draghi zhvilluan një telefonatë për të diskutuar situatën në Ukrainë dhe çështjen e sigurisë globale të ushqimit të enjten. Duke folur me gazetarët pas telefonatës, Draghi tha se do të vazhdojë të bisedojë me Moskën dhe Kievin për ta zgjidhur krizën e ushqimit, por shtoi se ai ka pak optimizëm për përfundimin e luftës. Kur u pyet nëse ka parë ndonjë fije shprese për paqe, përgjigja e tij ishte jo./The Guardian