Zelenskiy: Lufta po kthehet gradualisht në territorin e Rusisë

“Lufta po kthehet në territorin e Rusisë”, paralajmëroi Volodymyr Zelenskiy pasi dronët u rrëzuan mbi Moskë. Presidenti ukrainas tha se ky është “një proces i pashmangshëm, i natyrshëm dhe absolutisht i drejtë” dhe se qendrat simbolike dhe bazat ushtarake të Rusisë do të jenë në shënjestër.

Zelenskiy po ashtu u ka thënë zyrtarëve qeveritarë se pret që Rusia t’i rifillojë sulmet e saj ndaj sistemit energjetik të Ukrainës kur moti të bëhet më i ftohtë në vjeshtë. “Ne duhet të jemi gati për këtë në çdo rast”, tha presidenti ukrainas.

Ndërkohë, zhvillimet tjera në dhe rreth luftës në Ukrainë, janë si në vijim:

Sipas raportimeve, tre dronë ukrainas që u ranë mbi Moskë kanë dëmtuar një ndërtesë të lartë që përmbante zyra qeveritare dhe e kanë mbyllur për pak kohë një aeroport ndërkombëtar. Një nga ndërtesat e dëmtuara – disa kilometra larg Kremlinit – ishte shtëpia e tre ministrive të qeverisë ruse si dhe apartamente banimi, sipas mediave ruse, në sulmin e tretë të tillë në rajonin e kryeqytetit brenda një jave.

Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev tha se Moska do të “detyrohet” ta përdorë një armë bërthamore nëse kundërsulmi i Kievit do të jetë i suksesshëm dhe forcat e saj “shkatërrojne një pjesë të tokës tonë”. Medvedev, nënkryetari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, tha se në atë situatë “thjesht nuk do të kishte asnjë alternativë tjetër”.

Arabia Saudite do të jetë nikoqir i samit të paqes të organizuar nga Ukraina në fillim të gushtit, duke kërkuar një mënyrë për t’i filluar negociatat mbi luftën, ka raportuar Associated Press, duke cituar zyrtarë sauditë. Njëri prej ketyre zyrtarëve, duke folur në kushte anonimiteti, tha se Rusia nuk ishte e ftuar në bisedimet në Jeddah. Udhëheqësi i zyrës presidenciale të Ukrainës, Andriy Yermak, konfirmoi më vonë se bisedimet do të mbaheshin në Arabinë Saudite. Riadi nuk e ka pranuar të jetë nikoqir i këtij samiti dhe as nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.

Putin ka thënë se propozimet afrikane dhe kineze mund të shërbejnë si bazë për gjetjen e paqes, por se elementët janë “të vështirë ose të pamundur” për t’u zbatuar. Ai foli në një konferencë për media pas takimit me liderët afrikanë në Shën Petersburg.

Putin e vlerësoi marinën ruse në një fjalim në paradën vjetore të Ditës së Marinës. Presidenti rus njoftoi për 30 anije të reja këtë vit dhe tha se Rusia po e “ndërton fuqinë” e marinës së tij.

Forcat ruse penguan një përpjekje ukrainase për ta sulmuar Krimenë e aneksuar nga Rusia me 25 dronë, tha Moska zyrtare të dielën.

Pamjet satelitore të kapura më 19 korrik kanë identifikuar rreth 300 tenda dhe 200 automjete në Tsel, Bjellorusi, ku trupat e ëagner ka gjasa të kenë krijuar një kamp ushtarak atje, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar. Ai tha se është e paqartë se çfarë ndodhi me pajisjet e rënda që përdorte ëagner në Ukrainë, duke sugjeruar se është e mundur që ka qenë i detyruar t’i kthente ato ushtrisë ruse.

Papa Françesku i ka bërë thirrje Rusisë që ta ringjallë marrëveshjen e drithit në Detin e Zi, përmes së cilës Moska e kishte lejuar Ukrainën të eksportonte grurë nga portet e saj detare, pavarësisht luftës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala