Përparim Kryeziu - Foto : KALLXO.com

Zëdhënësi i Qeverisë: Pacolli duhet të kërkojë falje për deklaratën e ‘sulmit terroristik’

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë të Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit dhe kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli.

Pacolli, dje kur erdhi në Prishtinë tha se është ndalur fillimisht nga Zvicra në Tiranë, pasi që është frikësuar për ndonjë sulm terrorist.

Këtë deklaratë, Kryeziu e ka quajtur fjalë të rëndë dhe se sipas tij, kjo po përdoret kundër Kosovës.

“Deputetit Pacolli i është komunikuar zyrtarisht se duhet të respektojë masat, ashtu siç bën çdo qytetar, përfshirë edhe zyrtarët ndërkombëtarë që vijnë në Kosovë. Fatkeqësisht, me ose pa vetëdije për peshën e rëndë të fjalëve të veta, thirrjet për respektimin e udhëzimit zyrtar që edhe ai të zbatojë masat në fuqi i intepretoi si frikë të tij për një “akt terroristik nga ana e shtetit” në të”, tha Kryeziu.

Sipas tij, masat që janë marrë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve nga virusi, deputeti Pacolli, njëherësh ish Ministri i Punëve të Jashtme dhe ish Presidenti i Republikës së Kosovës, i interpretoi si mundësi për “akt terroristik nga shteti”.

“Këto fjalë të rënda, po publikohen në mediat e vendeve që sabotojnë shtetësinë e Kosovës, dhe po përdoren kundër shtetit tonë”, tha Kreyziu.

Ai shtoi se Pacolli duhet të kërkojë falje për këtë deklaratë.

“Deputeti Pacolli, ndërkohë që vazhdon të zbatojë masat e izolimit në shtëpi, njësoj si çdo qytetar i ardhur nga jashtë, do të duhet të fliste publikisht dhe të kërkonte falje, duke tërhequr ato që tha. Edhe opozitarizmi e ka një kufi, është e papërgjegjshme, e pamatur, e dëmshme dhe e dënueshme ta quash shtetin tënd “terrorist”, kur ai përpiqet të ruajë shëndetin tuaj dhe të qytetarëve”, ka thënë në fund zëdhënësi i Qeverisë.

Dje, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga AKR, Behgjet Pacolli, ka arritur në Kosovë pas një mosmarrëveshjeje mes tij dhe institucioneve të Kosovës.

Lidhur me lejen ose moslejimin për të aterruar në Aeroportin e Prishtinës, Pacolli tha se është frikësuar për ndonjë sulm terrorist dhe se kjo ka qenë arsyeja e ndaljes së tij në Tiranë.

“Pikërisht frika nga ndonjë sulm terrorist unë kam aterruar në Tiranë”, tha ai.

Pacolli, pas kthimit të tij nga Shqipëria në Kosovë, ka shkuar në shtëpinë e tij, në Hajvali.

Pacolli: Pata frikë nga ndonjë sulm terrorist, për atë aterrova në Tiranë

.

.