Zaev, Rama e Vuçiq nënshkruajnë disa marrëveshje për bashkëpunim rajonal
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama kanë nënshkruar sot një paketë dokumentesh të memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim rajonal.
Kjo është bërë në Forumin Ekonomik për bashkëpunim rajonal, që më herët ishte prezantuar si “Mini-Shengeni Ballkanik”.
Pas nënshkrimit të marrëveshjeve mes vendeve u zyrtarizuar emri i nismës i cili tashmë titullohet “Open Balkan” apo “Ballkani i hapur”.
Marrëveshja e parë e nënshkruar ka të bëjë për mbrojtjen dhe shpëtimin që përqendrohet tek shprehja e gatishmërisë të udhëheqësve të të tria shteteve për të parandaluar dhe zbutur pasojat nga katastrofat e mundshme natyrore.
Memorandumi i dytë është për të lehtësuar import-eksportin në lëvizjen e mallrave mbështetur në gatishmërinë politike të të tria vendeve për të forcuar marrëdhëniet e ndërsjella për të eliminuar barrierat dhe për të kontribuar në ecurinë ekonomike.
I treti memorandum i nënshkruar ka të bëjë me qarkullim të lehtë të njerëzve mes vendeve për treg të punës dhe duke siguruar leje pune dhe duke lehtësuar procedurat për lejet e përkohshme të qëndrimit.
Në këtë ngjarje nuk ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kundërshtuar idenë e mini-shengenit Ballkanik, emër ky që tashmë është ndërruar në nismën e fundit, por as kryeministrat nga Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.