Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ylli Buleshkaj zgjidhet drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Me 62 vota pro, Ylli Buleshkaj është zgjedhur Drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga Kuvendi i Kosovës.

Buleshkaj do të ketë mandate 5 vjeçar, ndërsa ai ‘mposhti’ kundërkandidatin Visar Kransniqi.

Komisioni Parlamentar për Legjislacion i kishte rekomanduar Kuvendit për votim dy kandidatë për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit, Yll Buleshkajn dhe Visar Krasniqin.

Yll Buleshkaj është kandidati më i poentuar, me 33.7 pikë, nga anëtarët e komisionit vlerësues të përberë nga Adnan Rrustemi (Kryesues), Artan Abrashi, Dimal Basha, Driton Selmanaj, Hajdar Beqa, Hydajet Hyseni.

Buleshkaj ishte kandidati më i poentuar me 31.6 pikë edhe nga komisioni i dy ekspertëve britanikë të BDO-së, Jan Dejung dhe Anne Montgomery.

Buleshkaj është bërë i njohur pasi si drejtor ekzekutiv i zyrës për regjistrimin e partive dhe certifikim në kuadër të KQZ-së kishte rekomanduar që të mos largohen nga lista e kandidatëve të partive politike për zgjedhjet e 14 shkurtit. 

Rekomandimi i tij nuk ishte marrë parasysh nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të cilët kishin vendosur që t’i largonin nga lista kandidatët që në tri vitet e fundit kanë pasur probleme me ligjin, duke përfshirë liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin. Ky vendim i KQZ-së ishte lënë në fuqi edhe nga Gjykata Supreme.

Buleshkaj kishte qenë kandidatë për kryeshef të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ai ishte renditur i dyti pas Burim Ahmetit, i cili ishte emëruar në këtë pozitë. Vetëvendosja e kishte kundërshtuar konkursin për kryeshef të KQZ-së duke thënë se konkursi ishte i parregullt.

Gara për drejtor të Agjencisë Kundër Korrupsionit (kallxo.com)