Xhemajli: Kosova s’ka studime të mirëfillta se çka shkaktojnë problemet mjedisore në shëndetin e qytetarëve

Hana Xhemajli – Hulumtues i Politikave Shëndetësore e ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane dhe Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm”, ka thënë se dëmet në shëndetin e njeriut nga ndotja e ajrit janë evidente, por që sipas saj Qeverisja aktuale në planin qeverisës nuk ka diçka konkrete se si duhet t’i qasemi këtij problemi.

Po ashtu Xhemajli ka thënë se Kosova ende nuk ka hulumtime rreth dëmeve që shkaktohen në shëndet nga problemet mjedisore.

Hana Xhemajli Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Studimin e fundit që e kam lexuar sa i përket efekteve të linjitit në mushkëri është i vitit 2008 dhe ka tregu qartë se nuk është e mirë për ne. Ne kemi resurse të mëdha të linjitit por duhet të mendojë a duhet të vazhdojmë me këtë apo të kthehemi ka panelet solare. Investimet në panele solare janë të shtrenjta dhe për ekonominë tonë të brishtë janë shumë, por a ja vlen të investohet?! Sipas meje ja vlen. Kosova afrohet në hartë afër Kinës kur bëhet fjalë sa i përket ndotësisë. Problemet që shkaktohen në shëndet nga ndotja e ajrit janë të listuara dhe të dokumentuara sepse arrijnë deri te vdekja në disa raste. Ne jemi pak vonë dhe ene nuk dihet se si do t’i qasemi kësaj. Ne punojnë në reaksion dhe jo në preventivë të problemit”, ka thënë Xhemajli.

Në konferencën e moderuar nga Visar Prebreza morën pjesë Viktor Berishaj – Koordinator i Politikave të Energjisë për Evropën Juglindore në Rrjetin e Aksionit Klimatik (CAN) Evropë, Shend Boshjnjaku – Drejtor ekzekutiv i Green Energy Kosova dhe përfaqësues i OSHC (çështjet mjedisore), Lulzim Syla – CEO Elen (TBC), Albena Reshitaj – Deputete e Kuvendit të Kosovës dhe anëtare e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, Hana Xhemajli – Hulumtues i Politikave Shëndetësore (TBC).

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.

Temat e trajtuara në konferencën e diskutimit ishin të fokusuara në shëndetin dhe mirëqenien e mirë e popullatës, energji e pastër dhe financiarisht e përballueshme, si dhe qytete dhe komunitete të qëndrueshme. Në këtë konferencë do të diskutohet mbi lidhjen e ngushtë mes qëllimeve të caktuara drejt zhvillimit të qëndrueshëm, progresit të cilin Kosova e ka bërë deri më tash dhe hapat që Kosova duhet t’i ndërmarrë drejt arritjes së këtyre qëllimeve dhe rrjedhimisht energjisë së pastër dhe popullatës së shëndetshme.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.