Haki Abazi: Ka munguar vullneti politik që mjedisi të jetë qendër e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm

Haki Abazi, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i “Grupit të Gjelbër” në kuadër të Kuvendit të Kosovës, i ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane: Synimet që duhet të përmbushë Kosova drejt efikasitetit të energjisë dhe mjedisit më të shëndetshëm”, tha se duhen kthime radikale për të vënë në qendër energjinë e gjelbër e resurset natyrore.

“Përkushtimi dhe zotimi i parlamentit të tanishëm është që të jetë krejt ndryshe planifikimi për zhvillim të qëndrueshëm. Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë në 2010 në diversifikim të plotë të resurseve energjetike. Kosova fatkeqësisht ka 98% derivate fosile, kryesisht linjit. Në mungesë të programit për efiçiencë vazhdon të djegë qymyr për ngrohje gjatë dimrit. Kosova vazhdon me qenë shteti më joefikas në shfrytëzimin e energjisë në Evropë. Deri më sot ka munguar vullneti politik që mjedisin me e bo qendër të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm. Duhet një kthim komplet radikal ku e gjelbra, mjedisi, uji, ajri bëhen pjesa qendrore e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Abazi.

Abazi ka shtuar se Kosova deri më tash nuk ka pasur agjendë të caktuar se si të sigurojë energjinë.

Haki Abazi Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Sipas tij, disa kanë sjellë koncepte gjermane, amerikane e turke e që s’kanë qenë në harmoni me mjedisin dhe njerëzit në Kosovë e as me vizionin evropian të reduktimit të emitimeve.

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra morën pjesë Viola Von Cramon – Taubadel, deputete e Parlamentit Evropian dhe anëtare e Grupit të të Gjelbërve në kuadër të Parlamentit Evropian, Haki Abazi, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i “Grupit të Gjelbër” në kuadër të Kuvendit të Kosovës, Flutra Zymi, aktiviste e shoqërisë civile (çështjet mjedisore), Linda Çavdarbasha, zëvëndëministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Visar Kelmendi, drejtor ekzekutiv i Green Energy Technologies.

Në këtë konferencë u shpalosën caqet e “European Green Deal” të cilat Kosova duhet t’i ndjekë drejtë efiçiencës së energjisë në Kosovë, ndikimin në ekonominë e Kosovës si dhe mirëqenies sociale të njerëzve. Në konferencë u fol edhe për energjinë e ripërtërishme në Kosovë, politikat ekzistuese dhe shembujt e suksesshëm që Kosova duhet t’i aplikojë drejt përputhjes me “European Green Deal” dhe integrimit evropian.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.