Kelmendi: Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm për energji solare

Visar Kelmendi, drejtor ekzekutiv i Green Energy Technologies, i ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane: Synimet që duhet të përmbushë Kosova drejt efikasitetit të energjisë dhe mjedisit më të shëndetshëm”, tha se potenciali i Kosovës për energji solare është i jashtëzaonshëm.

Po ashtu ai tha se energjia e ripërtërishme kërkon planifikime afatgjata, ndërsa shtoi se për bizneset është shumë e nevojshme krijimi i një Gjykate Komerciale.

“Energjitë e gjelbra janë bisneze afatgjate dhe kërkojnë planifikime afatgjate. Ajo çka është atraktive është krijimi i Gjykatës Komerciale. Nëse shteti e ofron ankandin me premium atëherë biznesi ka të qartë se nëse investon e di çka ka me ndodhë me investimin e tij. Çmimet e energjisë solare janë të lira. Unë shoh potencial të jashtëzakonshëm në energji solare e po ashtu e shoh edhe një problem të implementimit të solareve nëpër shtëpi për shkak se 70% e konsumit të energjisë janë shtëpitë”, tha Kelmendi.

Visar Kelmendi Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra morën pjesë Viola Von Cramon – Taubadel, deputete e Parlamentit Evropian dhe anëtare e Grupit të të Gjelbërve në kuadër të Parlamentit Evropian, Haki Abazi, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i “Grupit të Gjelbër” në kuadër të Kuvendit të Kosovës, Flutra Zymi, aktiviste e shoqërisë civile (çështjet mjedisore), Linda Çavdarbasha, zëvëndësministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Visar Kelmendi, drejtor ekzekutiv i Green Energy Technologies.

Në këtë konferencë u shpalosën caqet e “European Green Deal” të cilat Kosova duhet t’i ndjekë drejtë efiçiencës së energjisë në Kosovë, ndikimin në ekonominë e Kosovës si dhe mirëqenies sociale të njerëzve. Në konferencë u fol edhe për energjinë e ripërtërishme në Kosovë, politikat ekzistuese dhe shembujt e suksesshëm që Kosova duhet t’i aplikojë drejt përputhjes me “European Green Deal” dhe integrimit evropian.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.