Zymi: Nuk ka ekspertë mjedisorë nëpër institucione, Qeveria duhet t'i auditojë punësimet

Flutra Zymi, aktiviste e shoqërisë civile e ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane: Synimet që duhet të përmbushë Kosova drejt efikasitetit të energjisë dhe mjedisit më të shëndetshëm”, tha se Qeveria duhet t’i auditojë punësimet që janë bërë deri më tash nëpër institucione.

Sipas saj, auditimi duhet të bëhet për shkak se nëpër të gjitha institucionet mungojnë ekspertët mjedisorë.

“Mjedisi në Kosovë është shumë në rrezik dhe do të duhet të jetë një ndër top prioritetet se qysh kemi me iu qas. Luhet ping-pong në mes të institucioneve e sidomos komunave. Nuk ka ekspertë të mjaftueshëm nëpër institucione sepse e dimë të gjithë se si janë punësuar. Qeveria qe 100 ditë nuk ka bërë asnjë auditim se kush është brenda në institucione. Shumica e zonave të mbrojtura nuk ka as plan hapësinor, as plan menaxhues e as staf të mjaftueshëm për ta mbrojtur sidomos kur kemi ndryshime klimatike. Ende Qeveria nuk ka ndarë ndonjë buxhet për këto zona”, tha ajo.

Zymi me theks të veçantë ka kritikuar qeveritë për arsyet e mospërfshirjes së qytetarëve në procese të rëndësishme ambientale.

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra morën pjesë Viola Von Cramon – Taubadel, deputete e Parlamentit Evropian dhe anëtare e Grupit të të Gjelbërve në kuadër të Parlamentit Evropian, Haki Abazi, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i “Grupit të Gjelbër” në kuadër të Kuvendit të Kosovës, Flutra Zymi, aktiviste e shoqërisë civile (çështjet mjedisore), Linda Çavdarbasha, zëvëndësministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Visar Kelmendi, drejtor ekzekutiv i Green Energy Technologies.

Në këtë konferencë u shpalosën caqet e “European Green Deal” të cilat Kosova duhet t’i ndjekë drejtë efiçiencës së energjisë në Kosovë, ndikimin në ekonominë e Kosovës si dhe mirëqenies sociale të njerëzve. Në konferencë u fol edhe për energjinë e ripërtërishme në Kosovë, politikat ekzistuese dhe shembujt e suksesshëm që Kosova duhet t’i aplikojë drejt përputhjes me “European Green Deal” dhe integrimit evropian.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.