Çavdarbasha: Raporti i grupit punues ministror ka identifikuar shumë shkelje për të gjitha hidrocentralet

Zëvëndësministrja e Ministrisë së Mjedisit, Linda Çavdarbasha, e ftuar në konferencën “Marrëveshja e Gjelbër Evropiane: Synimet që duhet të përmbushë Kosova drejt efikasitetit të energjisë dhe mjedisit më të shëndetshëm”, tha se grupi ministror për hidrocentralet ka nxjerrë një raport i cili ka identifikuar shumë shkelje.

Çavdarbasha tha se ky raport tashmë është dërguar te kabineti i ministrit dhe pritet të merret një vendim pasi është shumë i nevojshëm pas shkeljeve të identifikuara për të gjitha hidrocentralet në Kosovë.

“Zhvillimi i qëndrueshëm dhe infrastruktura e integruar në harmoni me një mjedis të pastër me një mobilitet ka me u arrit përmes disa projekteve specifike që ne si qeveri po tentojmë me i zbatu. Prej ditës së parë jemi marrë me çështjen e hidrocentraleve. Pas takimeve që i kemi pasur me shumë akterë të kësaj çështje e kemi parë që duhet të bëhet një studim më i detajuar për procedurat administrative, shkencore e në terren. Është marrë vendim nga ministria që të bëhet një grup punues ministror. Raporti i këtij grupi punues ka përfunduar me 30 qershor. Kemi parë shumë shkelje të cilat janë nga aspekti administrativ, akte ujore, akte mjedisore, shkelje nga inspektorati, transparencë e shumë shkelje të tjera”, tha Çavdërbasha.

Linda Çavdërbasha Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Tutje, zëvëndësministrja tha se njëra ndër shkeljet që është identifikuar është edhe mungesa e daljeve në terren nga inspektorati i ministrisë së mjedisit.

Në konferencën e moderuar nga Jeta Xharra morën pjesë Viola Von Cramon – Taubadel, deputete e Parlamentit Evropian dhe anëtare e Grupit të të Gjelbërve në kuadër të Parlamentit Evropian, Haki Abazi, deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i “Grupit të Gjelbër” në kuadër të Kuvendit të Kosovës, Flutra Zymi, aktiviste e shoqërisë civile (çështjet mjedisore), Linda Çavdarbasha, zëvëndëministre e Ministrisë së Mjedisit dhe Visar Kelmendi, drejtor ekzekutiv i Green Energy Technologies.

Në këtë konferencë u shpalosën caqet e “European Green Deal” të cilat Kosova duhet t’i ndjekë drejtë efiçiencës së energjisë në Kosovë, ndikimin në ekonominë e Kosovës si dhe mirëqenies sociale të njerëzve. Në konferencë u fol edhe për energjinë e ripërtërishme në Kosovë, politikat ekzistuese dhe shembujt e suksesshëm që Kosova duhet t’i aplikojë drejt përputhjes me “European Green Deal” dhe integrimit evropian.

Kjo konferencë u organizua si pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021”, aktivitet brenda projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës” – “Ditët e Energjisë së Gjelbër”.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian. Ky botim është pjesë e aktivitetit “Ditët e Energjisë së Gjelbër 2021” që mbahet nga 28 qershori deri më 7 korrik 2021, brenda projektit të financuar nga Bashkimi Evropian, “Evropianizimi i Agjendës Mjedisore të Kosovës”.