Xhelal Sveçla: Pas pandemisë do t'i zgjidhim problemet e zjarrfikësve

Ushtruesi i Detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla ka thënë se pas situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, do të angazohet që të zgjidh problemet dhe vështirësitë e zjarrfikësve.

Këto deklarata Sveçla i bëri pasi vizitoi Njësinë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, në  komunën e Vitisë.

“Jam i informuar për statusin tuaj të pa zgjidhur dhe kushtet e rënda me të cilat ballafaqoheni gjatë punës, unë zotohem që puna e parë pas kalimit të kësaj situate me të cilën po ballafaqohet vendi ynë dhe mbar bota, do të jetë angazhimi im maksimal për  të zgjidhur të gjitha problemet dhe vështirësitë tuaja”,  tha Sveçla.

Sveçla së bashku me komandantin e NJPZSH-së, vizituan edhe zonat e prekura nga zjarri gjatë këtyre ditëve ku ai për së afërmi u njoftua për dëmet dhe pasojat që i ka shkaktuar  ky zjarr.

“Komandanti i NJPZSH-së, njoftoj u.d ministrin z Sveçla, se përkushtimi i zjarrfikësve njësive vullnetare dhe qytetarëve, arritën ta lokalizojnë zjarrin në këtë zonë. Nga aty ju bë thirrje qytetarëve për kujdes  të  shtuar në mënyrë që të parandalohet mundësia e shfaqjes së zjarreve, të cilat dëmtojnë pasurinë private dhe atë publike”, thuhet tutje në njoftimin e MPBAP-së.