Euro, foto: Pixabay

Xhamitë në Prizren mblodhën rreth 100 mijë euro për të prekurit nga tërmeti në Turqi e Siri

Xhemati (xhamitë) në Prizren ka marr një iniciativë bamirëse për të prekurit nga tërmetet në juglindje të Turqisë dhe Siri.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Këshilli i Bashkësisë Islame të mërkurën ka njoftuar se kanë mbledhur një shumë konsiderueshme të të hollave.

Sipas këtij njoftimi, xhemati i Prizrenit kontribuoi me 93,286 euro për dy vendet e prekura nga tërmeti.

Kjo nismë kishe filluar vetëm pesë ditë më parë.

“Këshilli i Bashkësisë Islame në Prizren, në emër të nëpunësve të saj, falënderon xhematin e Prizrenit, që kontribuan në sexhaden e shtruar në të gjitha xhamitë e Prizrenit më 10.02.2023, për ndihmë të prekurve nga tërmetet që goditën disa zona në Turqi dhe Siri. Shuma totale e mbledhur është 93.286.20€ (nëntëdhjetë e tre mijë e dyqind e tetëdhjetë e gjashtë euro e 20/100)”- njoftoi BIK.

BIK në fund ka falenderuar secilin kontribues.

Bashkësia Islame në Prizren ka publikuar listën me detaje për kontributin e xhematit të secilës xhami.