Xhaka mohon të këtë refuzuar që të luaj për Shqipërinë

Taulant Xhaka ka mohuar se ka refuzuar ndonjëherë që të grumbullohet dhe të paraqitet për kombëtaren e Shqipërisë në futboll.

Dje gjatë një konference, trajneri i Shqipërisë Edy Reja kishte thënë që e kishte ftuar Xhakën disa herë për t’u grumbulluar në kombëtare, por që vetë lojtari e ka refuzuar thirrjen.

“Më vjen keq për Xhakën, për cilësitë që ka do të na jepte një dorë shumë të mirë, por ai e ka refuzuar ftesën. Unë e kam ftuar disa herë, edhe vitin e kaluar edhe së fundmi, por ai nuk është përgjigjur pozitivisht, kështu që është e kotë që të vazhdoj të shpresoj dhe t’i dërgoj ftesa për faktin që ai nuk po vjen. Nuk na e ka thënë pse nuk vjen, ndoshta ka vendosur të fokusohet te klubi’’, ka thënë Reja.

Por të kundërtën e kësaj e ka thënë futbollisti Taulant Xhaka. Ai thotë që ai asnjëherë nuk e ka refuzuar kombëtaren.

“Këto janë gënjeshtra dhe nuk e di pse. Nuk është aspak e vërtetë që unë kam refuzuar kombëtaren, por isha 1 vit i lënduar dhe nuk isha në 100% në formë dhe nuk dua të rrezikoj prapë që të lëndohem. Në këtë mënyrë, i kam dhënë shansin një lojtari të ri që të grumbullohet”, ka thënë Xhaka.

Xhaka ka debutuar me kombëtaren e Shqipërisë më 7 shtator të vitit 2014 në ndeshjen kundër Portugalisë.