Xhafer Tahiri kundër Ministrisë së Shëndetësisë dhe SHSKUK-së

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, kryesuesi i Bordit Drejtues të ShSKUK-së, Xhevat Jakupi dhe drejtori i përgjithshëm i ShSKUK Valbon Krasniqi, bartjen  e spitalit për COVID-19 nga Vushtrria në Mitrovicë.

“Duke qenë se Spitali i Mitrovicës ka numër më të madh të specialistëve me më shumë profile mjekësore, me më shumë staf dhe po ashtu, më shumë pacientë të dyshuar dhe konfirmuar me Covid-19, ju kërkoj që Spitalin Covid, ta bartni në Mitrovicë, meqë hapësirat e spitalit janë më të përshtatshme dhe nuk cenohen shërbimet tjera shëndetësore”, ka shkruar Tahiri.

Sipas Tahirit, vendimi i Komitetit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për menaxhim të situatës me COVID-19, i cili ka shndërruar Spitalin e Përgjithshëm në Vushtrri, si spital për trajtim të rasteve me COVID-19 nga Vushtrria dhe Mitrovica, ka ndodhur pa konsultim paraprak me komunën e Vushtrrrisë.

Ai ka thënë se prej ditës së parë të shpalljes së spitalit për COVID-19, qytetarëve të Vushtrrisë është duke ju rrezikuar shëndeti, sepse nuk po mund të marrin shërbimet shëndetësore të nivelit dytësor në spital.

Tutje, ka shënuar se ka pranuar  shqetësime nga qytetarët e Vushtrrisë, mjekët dhe infermierët e spitalit se stafi nuk ka mjetet mbrojtëse të nevojshme për punë.

“Stafi i paraparë të vije nga Spitali i Mitrovicës për 3 ditë nuk ka ardhur si mbështetje siç ka qenë e paraparë”, ka shkruar ai.

Tahiri ka thënë se duke u bazuar në informatat që ka, në spital ka hyrje-dalje të pakontrolluara nga qytetarët,  mbi 100 vizitorë në ditë që paraqesin rrezik të madh për përhapje të infeksionit tek qytetarët dhe se punëtorët fizik që do të duhej të ndalonin prezencën e palëve nuk po kryejnë punën e tyre.

Shqetësim tjetër ka shprehur edhe për hapësirat e përbashkëta, në një oborr ndodhet edhe Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare, sipas të cilit po gravitojnë numër i madh i pacientëve ambulantor dhe që rreziku është rritur pasi Spitali është bërë për trajtim të rasteve COVID-19.

“Së fundmi, ka një fushatë të orkestruar kundër meje si Kryetar i Komunës, lidhur me këtë Vendim, e që nuk ka qenë i imi”, ka thënë më tutje Tahiri.

Tahiri ka shtuar se në fillim nuk e  ka kundërshtuar këtë vendim, duke pasur parasysh gjendjen epidemiologjike në tërë Kosovën dhe situatën emergjente në shëndetin publik, por tash kërkon që ky vendim të revidohet.

Para një jave ishte marr vendim që Spitali i Vushtrrisë të përdoret vetëm për trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19.