VV e LDK e lënë koalicionin për ‘ditët në vijim’ (VIDEO)

Drejtuesit e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës u takuan sot pasdite në kuadër të bisedimeve për arritjen e një marrëveshjes për koalicionin e ardhshëm qeverisës, një ditë pasi KQZ i certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Në takimin dyorësh për të cilin, kryetari i VV-së, Albin Kurti, tha se ishte konstruktiv, dy partitë “i konfirmuan të gjitha dakordimet e bëra deri më tani”.

“Ditëve në vijim do ta lidhim koalicionin. Nesër është takimi i radhës i ekspertëve për t’i përmbyllur çështjet e fundit”, tha Kurti.

“Ne kryetarët do të takohemi vazhdimisht”, tha ai.

Ndërsa kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha ta ketë uruar Kurtin për fitoren në zgjedhje

“Ne konstatuam se ajo çka është punuar nga grupet punuese, thuajse është përfunduar dhe mbetet që nesër të përfundojë. Ne shohim arsye të plotë dhe vullnet nga dy palët qe të mbajmë biseda dhe kontakte te rregullta që qeverisja e re te jetë e suksesshme”, tha Mustafa.