VV: ARKEP u shërbeu interesave të partive në pushtet

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar raportin vjetor të ARKEP-it, cili ka ardhur për miratim në Kuvend pas shqyrtimit në komisionin hetimor parlamentar.

Kryetari i Komisionit për ekonomi, ndërmarrësi, zhvillim dhe investime strategjike, Endrit Shala ka thënë se ky raport i plotëson kushtet për miratim.

Hekuran Murati nga grupi parlamentar i Vetëvendosjes e ka kundërshtuar votimin e këtij raporti pasi konsideron se janë bërë shumë shkelje me kontratën ‘Dardafone’ dhe ‘Zmobile’.

Ai tutje shoti se ARKEP u shërbeu interesave të partive në pushtet.

“Neve po na përsëritet tregimi i njëjtë ku institucione shtetërore që formohen për mbrojtje të interesave të qytetarëve dhe rregullim të tregjeve, përfundojnë duke ushtruar detyra që u shërbejnë interesave të grupeve politike në pushtet. Arkep nuk është imun ndaj këtyre ndërhyrjeve, të gjithë e dimë tregimin me ‘Dardafone’ apo ‘Zmobile’, ku i është dhënë licenca një operatori që ka shfrytëzuar infrastrukturën dhe ka përfunduar duke abuzuar me kontratën që ka pasur, e cila ka qenë shumë e dëmshme, ku pastaj edhe në arbitrazh në mungesë të mbrojtjes është humbur rasti, ku kemi bllokim të xhirollogarive të ndërmarrjes publike. Marrë parasysh këtë, ne si grup parlamentar nuk mund të mbështesim një raport të punës të një institucioni i cili nuk e kryen obligimin ligjor”, ka thënë Murati.

Grupet parlamentare të LDK, PDK dhe Nisma-AKR e kanë mbështetur votimin e këtij raporti.

Raporti nuk është hedhur në votim për shkak të mungesës së kuorumit.