Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

ARKEP reagon pas vendimit të Gjykatës së Drejtësisë të BE-së për pjesëmarrjen në BEREC

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian përmes një vendimi ka anuluar vendimin e Komisionit Evropian që lejon Autoritetin Rregullativ për Shërbime të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) të jetë pjesëmarrës  në Organin e Rregullatorëve Evropianë të Komunikimeve Elektronike, BEREC.

ARKEP përmes një komunikate ka thënë se kjo nuk nënkupton përjashtimin e saj nga BEREC.

Ky institucion ka thënë se Gjykata e Drejtësisë për të mos penguar pjesëmarrjen e ARKEP në BEREC ka vendosur që vendimi i Komisionit Evropian të zbatohet deri në hyrjen në fuqi të ndonjë marrëveshjeje të re ndërmjet BEREC dhe ARKEP.

Autoriteti Rregullativ për Shërbime të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka bërë të ditur se që nga viti 2019 merr pjesë në takimet teknike dhe të bordit të BEREC.

Procesi gjyqësor ndaj pjesëmarrjes së ARKEP në BEREC ishte iniciuar nga Spanja.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se anulimi i vendimit për Kosovën nuk lidhet me faktin se vendi është ‘shtet sovran’ por se Komisioni Evropian nuk kishte pasur kompetencë për të vendosur për pranimin e Kosovës në BEREC.

Ndërkaq Spanja kishte pretenduar se Kosova nuk mund të konsiderohet “vend i tretë” dhe se duhet t’i anulohet pjesëmarrja në Trupin e Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC). Ky pretendim sipas vendimit është rrëzuar.

Kosova kishte marrë pjesë për herë të parë përmes ARKEP si e barabartë me shtetet e tjera evropiane në një seancë plenare të BEREC në qershor të vitit 2019.

Në atë kohë, kryetari i bordit të ARKEP kishte falënderuar komisoneren e BE-së, Mariya Gabriel për pjesëmarrje të ARKEP në të gjitha nivelet e punës së Entit të Rregullatorëve Evropianë për Komunikime Elektronike (BEREC).

Kosova pjesëmarrëse e BEREC përmes ARKEP-it