Vushtrri: Banorët e Smrekonicës kërkojnë heqjen e karantinës

Banorët e fshatit Smrekonicë të Vushtrrisë tash e 25 ditë ndodhen të izoluar, kjo pas futjes së këtij fshati në karantinë.

Kjo kishte ardhur pas infektimit të 14 banorëve me COVID-19.

Mirëpo, përfaqësuesit e Smrekonicës po kërkojnë heqjen  e kësaj mase, pasi që shumica e të infektuarve janë shëruar.

“Si përfaqësues i fshatit Smrekonicë, nuk mund të qëndrojë pa reaguar në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit Kombëtar të Shëndetësisë, Komunës, Drejtorisë për Shëndetësi dhe ndaj gjithë atyre që janë kompetent për çështjen e izolimit të fshatit tonë. Për momentin e kemi vetëm një rast pozitiv, gjendja e pacientit është stabile. Kemi kërkuar heqjen e izolimit, për arsye se 90% e fshatit është e izoluar pa nevojë”, ka shkruar Fidan Bejta, përfaqësues i fshatit Smrekonicë në Facebook.

Gjithashtu edhe kryetari i Vushtrrisë tash e disa ditë ka kërkuar që ky fshat të largohet nga karantina, kjo pas rënies së numrit të të infektuarve.

“Ne jemi gati për lehtësim të masave dhe kemi kërkuar nga MSH që Smrekonica të largohet nga karantina”, ka thënë Tahiri në facebook.

14 qytetarë të Smrekonicës së Vushtrrisë kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, ndërkaq vetëm një rast është ende aktiv.