Smrekonica në karantinë, Policia bllokon rrugën kryesore (VIDEO)

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se fshati Smrekonicë është shpallur zonë karantine.

Ndonëse Komuna kishte propozuar që vetëm rruga “Miftar Hasani” të vendoset në karantinë, Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që i tërë fshati të karantinohet.

Kryetari Tahiri ka njoftuar se personeli shëndetësor i QKMF-së, QMF Smrekonicë dhe i Spitalit “Sheikh Zayed” që kanë qenë në kontakt me pacienten janë udhëzuar për vetizolim.

“Apelojmë tek të gjithë qytetarët që kanë mundur të jenë në kontakt me pacienten apo familjen e ngushtë të vet izolohen dhe të lajmërojnë organet kompetente të IKSHPK dhe QKMF-së”, ka shkruar kryetari Tahiri.

Të gjitha hyrje-daljet në fshatin Smrekonicë janë bllokuar.

Më poshtë gjeni videon dhe fotografi të rrugës kryesore që të çon në fshatin Smrekonicë, e cila është bllokuar nga Policia.