Vulin dekoron politikanin opozitar malazez për ‘mbrojtjen e shtetit’ kundër NATO-s

Në një lëvizje të dizajnuar për ta irrituar qeverinë malazeze,  Ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin, dekoroi me medalje një politikan të shquar opozitar në Mal të Zi, të cilin qeveria në Podgoricë e konsideron pjesë të një grusht-shteti.

Kreu i Frontit Demokratik Andrija Mandiq mori një medalje përkujtimore ushtarake dhe një shpatë për mbrojtjen e shtetit të atëhershëm të përbashkët gjatë bombardimeve të NATO-s të 1999.

Mandia dhe partia e tij kanë lidhje të ngushta me autoritetet serbe, veçanërisht me Presidentin Aleksandar Vuçiq. Si ai dhe deputetët e tjerë pro-serbë nga Mali i Zi janë mysafirë të rregullt në ngjarje protokollare dhe festime të organizuara nga Vuçiq.

Vulin gjatë ceremonisë tha se Serbia dëshiron të falënderojë ata që kishin ndihmuar për ta mbrojtur atë gjatë luftës së Kosovës në fund të viteve 1990.

“Çdokush që ishte me kombin dhe vendin e tij në vitin 1999 meriton respektin tonë, dhe ne po e kthejmë atë në këtë mënyrë”, tha Vulin.

Ai gjithashtu tha se dëshiron t’i dërgojë një mesazh komunitetit serb në Mal të Zi.

“Ne e dimë për ekzistencën e tyre, jemi krenarë për guximin, kokëfortësinë, këmbënguljen dhe qëndrueshmërinë e tyre, dhe se populli serb në Mal të Zi gjithmonë do të mund të llogarisë në shtetin  e Serbisë”, tha Vulin.

Mandiq është një kritik i rreptë i qeverisë së tij në Podgoricë. Së bashku me kolegun e tij të partisë, Milan Knezheviq, ai u dënua me një vendim të shkallës së parë për përfshirje në një grusht-shteti të dështuar në vitin 2016, për të cilin autoritetet pretendojnë se kishte origjinë nga Rusia.

Ata kanë apeluar dënimet e tyre, duke pretenduar se komploti i dyshuar ishte i inskenuar për të ndihmuar liderin veteran të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, t’i fitojë zgjedhjet e vitit 2016.

Kohët e fundit, ai ishte në mesin e një grupi prej 18 deputetëve të Frontit Demokratik, të cilët u arrestuan në 27 dhjetor në parlament, pas përpjekjes për të parandaluar ose prishur miratimin e një ligji të diskutueshëm për fenë, për të cilin ata thonë se është armiqësor ndaj interesat e Kishës Ortodokse Serbe.

“Ne jemi të gatshëm të vdesim për Kishën tonë dhe kjo është ajo që po demonstrojmë sonte”, tha Mandiq në mënyrë dramatike gjatë incidentit.

Ai madje paralajmëroi luftë civile nëse autoritetet miratojnë legjislacionin dhe u bëri thirrje “miqve të tij të luftës nga vitet 1990 të jenë gati”.

Megjithë kërcënimet, ligji u miratua në të njëjtën natë.

Gjatë fjalimit të tij të dielën, Mandiq tha që ishte i lumtur që pa që zyrtarët e lartë serbë “i kujtuan të gjitha gjërat e mëdha që nga koha e agresionit të NATO-s në Jugosllavi”.

Vulin gjithashtu i dha një medalje ushtarake një qytetari malazez, Danilo Lekoviq, për të njëjtat arsye si Mandiq.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin u jep çmime qytetarëve malazezë. Më 24 nëntor, vitin e kaluar, duke shënuar 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s, ai u dha 40 mijënjohje ushtarake anëtarëve të familjeve të ushtarëve të vrarë nga Mali i Zi.