Foto - Afrim Ejupi / Kallxo.com

Vrasja në Kaçanik: Vetura e 48-vjeçarit u qëllua me breshëri plumbash

Mbrëmë pak para mesnatës policia kishte pranuar një informacion në lidhje me një veturë e cila kishte dalë jashtë rrugës.

Hetimet e para flasin për një vrasje e cila dyshohet se u krye rreth orës 23 e 50 mbrëmë në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik.

Policia ka njoftuar mëngjesin e sotëm se ekzaminimet në vendin e ngjarjes tregojnë se personi apo persona të panjohur në Kaçanik të Vjetër nga afërsia kishin gjuajtur me breshëri plumbash drejt automjetit ku ishte viktima Nysret Cena.

Personi apo personat e dyshuar të cilët ende deri më tani siç mëson KALLXO.com nuk janë identifikuar nga policia, kanë ikur nga vendi i ngjarjes ndërsa nga Prokuroria Themelore në Ferizaj kanë thënë për ekipin tonë se janë duke kryer hetime intensive.

Tutje sipas njoftimit të policisë në Ferizaj, jo larg nga vendi i ngjarjes ku ishte gjuajtur me breshëri plumbash ndaj automjetit, në fshatin Sopanicë të Komunës së Kaçanikut është gjetur edhe një veturë e cila ishte përfshirë nga flakët.

Policia dyshon se personat e dyshuar që kanë kryer vrasjen në Kaçanik të Vjetër më pas i kanë vënë flakën automjetit të cilin e kanë përdorur në rast.

Me vendim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj trupi i pajetë i viktimës është dërguar Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Kush ishte Nysret Cena, 48-vjeçari që u vra në Kaçanik?