
Vrasja e trefishtë në Kaçanik, gjykata vendos ndaj të akuzuarve Dalloshi
Afet Dalloshi dhe Agron Dalloshi janë liruar nga akuzat për vrasjen e trefishtë në Kaçanik.
Gjykata e Prishtinës me kryetarin e trupit gjykues Naser Foniqi, vendosi t`i shpallë të pafajshëm te akuzuarit në mungesë te provave.
Gjyqtari deklaroi gjatë shpalljes se nuk i ka marrë parasysh dëshmitë e dëshmitarëve të privilegjuar për shkak të risive të Kodit të Procedurës Penale.
Sipas Kodit të ri dëshmitë e dëshmitarëve të privilegjuar nuk mund të merren si prova.
Për Kallxo.com këtë e ka konfirmuar avokatja Kosovare Kelmendi e cila përfaqëson të akuzuarin Afet Dalloshin.
Gjyqtarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, konfirmoi për Kallxo.com se dëshmitarët të cilët ishin dëgjuar në këtë procedurë ishin të bashkëpandehur dhe dëshmia e tyre ishte prova e vetme në të cilën Prokuroria mbështeste akuzat.
“Sipas Kodit të ri të Procedurës Penale, dëshmia e të bashkëpandehurit nuk mund të merret si provë me rastin e marrjes së aktgjykimit”.
Në vitin 2011, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg, kurse Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.
Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Besnik Hasani kishte dhënë deklaratë në hetuesi për vrasjen e vitit 2007 dhe pas dëgjimit të tij, prokuroria kishte ngritur aktakuzë në shtator të vitit 2011 ndaj Nysret Cenës, Afet Dalloshit dhe Agron Dalloshit.
Në mars të vitit 2012, Prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën e vitit 2011 dhe kishte liruar Nysret Cenën nga cilësia e të akuzuarit.
Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkon këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktakuzës, N. B. kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ia kishte Arsim Kaloshit, nga i cili i kishte blerë një veturë. Për shkak të këtij borxhi Nysret Cena, i cili kishte marrë përsipër që të kthente këtë borxh, ishte fjalosur me N. B.
Sipas Prokurorisë, me të ishte fjalosur edhe i akuzuari tjetër Afet Dalloshi “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake” – thuhet në aktakuzë.
Aktakuza shpjegon se ditën e vrasjes, Afet Dalloshi me veturë e ka bartur Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura e lumit Lepenc, nga i cili vend është larguar pasi ka lënë aty këta dy.
Në anën tjetër, Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani kanë shkuar në restorantin “M….” i cili ndodhej në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik, ku qëndronte N. B., për të parë se kur do të largohej nga restoranti ashtu që të lajmëronin Nysretin dhe Agronin.
Qerimi dhe Hasani kanë lajmëruar Nysretin dhe Agronin me bori, se N. B. po kalonte andej, të cilët pastaj kanë shtënë me rafalë të gjatë, me 40 fishekë duke e lënë të vdekur, thuhet në aktakuzë.
Në veturën e N. B. ndodheshin dhe S. B. dhe U. B., të cilat kanë vdekur, ndërsa i plagosur kishte mbetur B. B., ndërsa pa lëndime kishte mbetur S. B.
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t`i lexoni në LINK