Vrasja e Nysret Cenës në Kaçanik, identifikohen targat e veturës së djegur

Një veturë e djegur, e cila u gjet vetëm pak kilometra larg vendit të ngjarjes ku dyshohet se u vra Nysret Cena, ishte e tipit Mercedes, ndërsa Prokuroria Themelore në Ferizaj deri më tani ka arritur që të identifikojë një palë targa të cilat mendohet se janë të vjedhura dhe se i përkasin një veture tjetër.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari në një bisedë me KALLXO.com tha shkurt se janë duke vazhduar hetimet intensive për të zbardhur vrasjen që ndodhi mbrëmë në orët e vona.

Vetura e Nysret Cenës po dyshohet se u qëllua me breshëri plumbash mbrëmë rreth orës 23:50 në fshatin Kaçanik i Vjetër.

Nga plumbat, Cena nuk arriti që t’i mbijetojë plagëve ndërsa policia njoftoi se vdekja e tij u konstatua nga mjekët që ishin në vend ngjarjeje.

Kryeprokurori Jashari tha për KALLXO.com se një palë tabela të automjetit janë identifikuar.

“Kemi arritur që të identifikojmë një palë tabela që kanë qenë të vendosura në veturën që është djegur e që ka qenë i tipit Mercedes. Nga identifikimi kemi arritur që të kuptojmë që targat kanë qenë të një veture tjetër, pra dyshojmë se ato ose janë vjedhur ose janë të vjetra sepse tabelat janë të regjistruara. Pra këto tabela janë krejt të një veture tjetër e të cilat ishin të vendosura në veturën e djegur”- tha për KALLXO.com, Jashari.

Kush ishte Nysret Cena, 48-vjeçari që u vra në Kaçanik?

Çka dihet deri më tani për vrasjen

Mbrëmë rreth orës 23:50 policia kishte marrë një informacion se një veturë kishte përfunduar jashtë rrugës në magjistralen Ferizaj – Kaçanik.

Ekipet policore kishin dalë në vendin e ngjarjes ku kishin hasur edhe një person brenda veturës dhe më pas ishte konstatuar pa shenja jete.

Trupi i Nysret Cenës 48 vjeçar është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Vetëm pak kilometra larg fshatit Kaçanik i Vjetër, më saktësisht në fshatin Soponicë një ekipë e policisë kishte hasur në një makinë që po digjej.

Policia së bashku me ekipet e zjarrfikësve kishin dalë në vendin e ngjarjes. Zjarri ishte shuar ndërsa vetura ishte identifikuar me tabelat që posedonte por, nga hetimet që janë duke u kryer doli se nuk janë tabela të së njëjtës makinë dhe dyshohen se janë të vjedhura.

Vetura e djegur dyshohet se ishte përdorur nga personi apo persona që dyshohen se e kryen vrasjen e Cenës.

Kush është Nysret Cena

Nysret Cena ka qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e më pas Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

I njëjti ka qenë i akuzuar në dy raste të ndryshme, por që ishte dalë i pafajshëm.

Një bombë e përgatitur në një vend të pazakontë, në një fermë delesh në një fshat të Kaçanikut, shpërtheu në syfyrin e 24 shtatorit 2007 në Prishtinë dhe i mori jetën Pleurat Sllamnikut e Naim Muratit dhe la të lënduar 11 persona të tjerë.

Cak i këtij sulmi sipas aktakuzës së prokurores Maria Bamieh ishte lokali “Sekiraqa”, e motiv ishte hakmarrja për vrasjen e policit Triumf Riza më 30 gusht të atij viti.

Aktakuza për kryerjen e këtij akti rëndoi mbi policët Bejtullah Mehmeti (1979), Luan Qerkini (1977), Bekim Suma (1970), Fadil Sadiku (1979), Arbresh Dalipi (1981) e Mehmet Mehmeti (1975), dhe pjesëtarët e TMK-së, Nysret Cenën (1975) dhe Afet Dalloshin (1978).

Polici Triumf Riza ishte vrarë nga Arben Berisha më 30 gusht të vitit 2007 ndërsa të akuzuarit sipas Prokurorisë dëshironin të nxirrnin hak ndaj Enver Sekiraqës për ish-kolegun e tyre.

Mbi të akuzuarit rëndonin tri akuza, vrasje e rëndë, vrasje e rëndë në tentativë si dhe shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Po lidhur me këtë shpërthim, pas një procesi gjyqësor, Besnik Hasani, pjesëtar i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës dhe Shpend Qerimi, pjesëtar i Njësisë Antidrogë, në shtator të vitit 2009, ishin shpallur fajtorë dhe janë dënuar me nga 25 vjet burgim. Ndërsa, Nysret Cena atëherë ishte liruar nga akuzat.

Nystret Cena do të lirohej nga akuza edhe në rastin e dytë me arsyetimin se ishte çështje e gjykuar.

Cena ishte liruar nga akuzat edhe të një rasti tjetër të vrasjes në vitin 2007.

Në vitin 2011, Besnik Hasani dhe Shpend Qerimi, të dy ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë shpallur fajtorë për vrasjen e trefishtë dhe janë dënuar me nga 33 vjet burg, kurse Nysret Cena ishte shpallur i pafajshëm.

Pas shpalljes së këtij aktgjykimi, Hasani kishte dhënë deklaratë në hetuesi për vrasjen e vitit 2007 dhe pas dëgjimit të tij, prokuroria kishte ngritur aktakuzë në shtator të vitit 2011 ndaj Nustret Cenës, Afet Dalloshit dhe Agron Dalloshit.

Në mars të vitit 2012, Prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën e vitit 2011 dhe kishte liruar Nysret Cenën nga cilësia e të akuzuarit.

Aktakuza e re e Prokurorisë Speciale të Kosovës ngarkonte këta për vrasje, dy vrasje në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktakuzës, N. B. kishte hyrë dorëzan për borxhin që Nexhat Koxhaj ia kishte Arsim Kaloshit, nga i cili i kishte blerë një veturë. Për shkak të këtij borxhi Nysret Cena, i cili kishte marrë përsipër që të kthente këtë borxh, ishte fjalosur me N. B.

Sipas Prokurorisë, me të ishte fjalosur edhe i akuzuari tjetër Afet Dalloshi “lidhur me një femër, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt dhe në mënyrë dinake”- thuhej në aktakuzë.

Aktakuza shpjegonte se ditën e vrasjes, Afet Dalloshi me veturë të markës “Audi” ka bartur Nysret Cenën dhe Agron Dalloshin, që të dy të armatosur me pushkë automatike, deri tek ura e lumit Lepenc, nga i cili vend është larguar pasi ka lënë aty këta dy.

Në anën tjetër, Shpend Qerimi dhe Besnik Hasani sipas dosjes së Prokurorisë kishin shkuar në restorantin “M……” i cili ndodhej në rrugën magjistrale Ferizaj- Kaçanik, ku qëndronte N. B., për të parë se kur do të largohej nga restoranti ashtu që të lajmëronin Nysretin dhe Agronin.

Qerimi dhe Hasani siç theksohet në dosjen e Prokurorisë kishin lajmëruar Nysretin dhe Agronin me bori, se N. B., po kalonte andej, të cilët pastaj kanë shtënë me rafalë të gjatë, me 40 fishekë duke e lënë të vdekur, thuhet në aktakuzë.

Në veturën e N. B. ndodheshin dhe S. B. dhe U. B. të cilat kanë vdekur, ndërsa i plagosur kishte mbetur B. B., ndërsa pa lëndime kishte mbetur S. B.