ARKIV - Oliver Ivanoviq
Vrasja e Oliver Ivanoviqit – Dëshmitari refuzon të jap dëshminë, thotë se ka frikë për sigurinë e tij
Dëshmitari i anonim, i mbrojtur nga ana e Prokurorisë ka refuzuar që të jap dëshminë e tij në lidhje me vrasje ish-politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanvoqit në vitin 2018.
Ky dëshmitar i mbrojtur pritet që përmes një video-thirrje të dëgjohej në lidhje me këtë vrasje, por për arsye të sigurisë së tij, dëshmitari refuzoi të deklarohet për këtë rast.
Dëshmitari i mbrojtur tha që për arsye të sigurisë personale, nuk dëshiron të dëshmoj.
“Për arsye të sigurisë sime personale, nuk jam në gjendje të deklarohem” – tha dëshmitari i mbrojtur.
Në pyetjen e kryetarit te trupit gjykues Valon Kurtaj se cilat janë arsyet që nuk dëshiron të deklarohet, kur nga koha e shpalljes se tij si dëshmitar, a asnjëherë nuk e ka ngritur çështjen e sigurisë.
“Identiteti im nuk është fshehur, për detaje kisha mundur me fol personalisht në katër sy me kryetarin e trupit gjykues” – tha dëshmitari.
I njëjti vazhdoi tutje që e di rëndësinë e dhënies së deklaratës por në rend të parë është siguria e jetës.
“Unë e di rëndësinë e dhënies së deklaratës, mirëpo në rend të parë është siguria e jetës sime” – shtoi tutje dëshmitari i mbrojtur.
Ndërsa prokurori i prokurorisë Speciale, Burim Çerkini tha që është duke u përsëritur situata e njëjtë që për arsye të sigurisë dëshmitari po refuzon të dëshmojë.
“Siç po duket, po na përsëritet e njëjta situatë dhe kemi një dëshmitar anonim që për shkaqe të sigurisë nuk e jep dëshminë e tij” – tha prokurori Çerkini.
Ai shtoi që sikurse kanë vepruar me dëshmitarët e tjerë edhe me këtë dëshmitar duhet të mbahet një seance e veçantë dhe të vlerësohen se cilat janë ato gjëra që konkretisht e rrezikojnë dëshmitarin për të dhënë dëshminë e tij.
Avokati i të akuzuarit Rade Basara, Tomë Gashi tha që duket një lojë e dëshmitarit anonim, sikur edhe e dikujt tjetër që ka pasë situata të tilla dhe se është koha që ndaj këtyre dëshmitarëve të merren masa ligjore.
Sipas Tomë Gashit, me këto mos dhënie të dëshmisë nga ana e dëshmitarëve po lihet të nënkuptohet që të akuzuarit janë shumë të rrezikshëm dhe po frikohen nga këta të fundit.
Trupi gjykues në fund u dakordua që të mbahet një seancë e veçantë vetëm me dëshmitarin dhe prokurorinë speciale ndërsa mbetet të vendoset në lidhje me kërkesën e mbrojtjes së të akuzuarve për zëvendësimin e masës së arrestit shtëpiak.
Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit special Sylë Hoxha. Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa për këtë pati reagime edhe nga ish prokurori Hoxha. Pas heqjes së fletarrestit, Radoiçiq ishte futur në Kosovë, por Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta arrestonte.
Prokurori i tanishëm i rastit, Burim Çerkini, pati thënë për KALLXO.com se Millan Radoiçiq është pjesë hetimeve, porse për të nuk ka aktakuzë.
Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Prokuroria pretendon se i pandehuri Nedelko Spasojeviq duke vepruar si anëtar i grupit, ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.
Sipas aktakuzës ai fillimisht u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtare të policisë të markës Golf IV, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në të ndjerin Oliver Ivanoviq.
Përveç kësaj në aktakuzë thuhet se i pandehuri Nedelko Spasojeviq në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, kanë lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty.
Marko Roshiq akuzohet se si anëtar i grupit kriminal ka ndihmuar në kryerjen e vrasjes së Oliver Ivanoviqit pasi me veturën “Santa Fe” ka përcjellë çdo lëvizje të tij para vrasjes, ndërsa pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa FE”, ngjyrë e zezë, me targa “KM-014-FZ”.Në aktakuzë ceket se kjo veturë është në pronësi dhe përdorim të të akuzuarit Roshiq dhe përmes saj ai e kishte përcjellë edhe Mirosllav Ivanoviqin, vëllanë e të ndjerit pasi kishte ndodhur vrasja.
Rade Basara akuzohet se si polic hetues në Mitrovicën e Veriut kishte bashkëpunuar ngushtë me Zhelko Bojiqin dhe me grupin e organizuar e që është udhëhequr nga i dyshuari Millan Radoiçiq, për t`i eliminuar dhe fshehur gjurmët e krimit si dhe provat dhe dëshmitë në vendin e ngjarjes.
E pandehura Silvana Arsoviq, akuzohet se si anëtare e grupit kriminal kishte ndihmuar në eliminimin e pengesave për kryerjen e vrasjes duke shkyçur nga rryma kamerat e sigurisë dhe duke mundësuar që të dyshuarit të mos incizohen nga kamerat e sigurisë në kohën kur kryhet akti i vrasjes.
Sipas Prokurorisë Arsoviq menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyrat e partisë SDP. Ajo sipas aktakuzës ka qenë duke punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.
Polici Dragisha Markoviq akuzohet se pa autorizim ka dhënë informata të cilat përbënin fshehtësi zyrtare gjatë kohës sa ishte në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e Oliver Ivanoviqit.
Dy policët Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, akuzohen edhe se kanë manipuluar me provat e vendit të ngjarjes me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme duke i hequr dhe fshehur ato. Sipas Prokurorisë Speciale Dragisha Markoviq, bën me dorë në drejtim të gëzhojës e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes e të cilën më pas i pandehuri Zharko Jovanoviq e merr atë gëzhojë, e fut në xhep dhe së bashku me të pandehurin tjetër Dragisha Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.